Komisioni Evropian ka dënuar dhunën gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe dëmtimin e pronës publike dhe private.
Në një deklaratë të publikuar më 18 tetor në Bruksel, Komisioni theksoi se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se reagimi ndaj saj duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional.
Gjithashtu, u bëri thirrje që përgjegjësit të mbahen para drejtësisë përmes procedurave të rregullta ligjore.
Komisioni Evropian rikujtoi se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Tutje, Komisioni Evropian mirëpriti zotimin e autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e së drejtës për protestë, duke theksuar se, si vend kandidat që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që ka shënuar përparim në procesin e integrimit, Shqipëria duhet t’i trajtojë pakënaqësitë përmes dialogut konstruktiv dhe rrugëve paqësore. /Gazeta Express




