Fundjava ka sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve drejt Kosovës, ku destinacionet turistike dimërore po tërheqin gjithnjë e më shumë qytetarë.
Brezovica, Prevalla dhe Peja janë ndër zonat më të preferuara, ndërsa autoritetet kufitare po punojnë për të menaxhuar fluksin dhe për të shmangur vonesat.
Ndryshe nga muajt e verës, kur fluksi më i lartë i kalimeve i përket hyrjes në Republikën e Shqipërisë, këtë periudhë janë destinacionet turistike dimërore ato që po tërheqin më shumë qytetarë. Kryesisht nga Tirana, shumë udhëtarë kanë zgjedhur të nisen drejt Kosovës gjatë fundjavës, me synim zonat malore dhe qendrat e skive.
