Mërgimtarët që vizituan sot Kuvendin e Kosovës e kanë cilësuar si “skandaloze” bllokadën institucionale në vend, duke thënë se Kosova duhet të ketë një shtet për të cilin do të krenohet e gjithë Evropa.
Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për bashkatdhetarët për tri ditë radhazi, duke u mundësuar atyre të njihen nga afër me hapësirat dhe punën e këtij institucioni.
Në kuadër të kësaj vizite, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në Kuvend bashkatdhetarët që po qëndrojnë në Kosovë gjatë sezonit të verës.
Selatin Tahiri nga Gjermania, i cili prej 35 vitesh jeton në këtë shtet, tha se vizita në Kuvend është një ndjenjë e veçantë, ndërsa komentoi edhe situatën politike në vend.
“Me qëndrim në Gjermani, mirëpo jam nga Prishtina. Përndryshe i lindur në fshatin Koliq. Që 35 vite në Gjermani. Kosovën e vizitoj çdo vit. Familjarët, mirëpo edhe takimet e shpeshta me përfaqësues, me politikanë, me delegatë të parlamentit. Kjo është ndjenjë e veçantë. Është Parlamenti i Kosovës, është një objekt ku merren ligje, ku shteti funksionon përmes parlamentit, përmes ligjeve, përmes kësaj strukture politike. Bllokada është shumë, nuk di si ta quaj, nëse e quaj skandaloze. Nuk ka pasur nevojë, e panevojshme të bëhet një bllokadë e tillë, kur të gjithë jemi shqiptarë, të kuptojmë të mirën e vetvetes dhe ta kemi një shtet të cilin do të krenohet e gjithë Evropa, të gjitha vendet e tjera. Po ndodhi kjo që ndodhi”, tha ai, raporton EO