I sh-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ashpër ndaj ministres së drejtësisë në detyrë dhe bashkëkryetares së Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, pasi kjo e fundit i mbështeti deklaratat e ish-deputetit të partisë së saj, Fatos Geci për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ajo e ka akuzuar Gërvallën për qëndrime që, sipas saj, dëmtojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
Deliu ka shkruar se Gërvalla “e turpëron emrin dhe familjen”, duke shtuar se është e papranueshme që një ministre e Kosovës të sillet, sipas saj, “më shumë si zëdhënëse e narrativave kundër UÇK-së sesa si mbrojtëse e dinjitetit të shtetit të saj”.
“Kur ministrja e Drejtësisë sillet më shumë si zëdhënëse e narrativave kundër UÇK-së sesa si mbrojtëse e dinjitetit të shtetit të saj, atëherë kemi problem serioz politik dhe kombëtar”, ka shkruar Deliu.
Ajo ka akuzuar Gërvallën se prej vitesh sulmon luftën çlirimtare, ndërsa ka kritikuar edhe heshtjen e, siç ka thënë, zyrtarëve të pushtetit ndaj deklaratave për dënime të përjetshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Kjo nuk është ‘politikë ndryshe’. Kjo është përulje para propagandës kundër Kosovës”, ka deklaruar Deliu.
Sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar askënd për të njollosur luftën e UÇK-së dhe për të heshtur ndaj padrejtësive.
“Kosova është ndërtuar mbi sakrificën e mijëra burrave e grave që dhanë gjithçka për liri. Kush e relativizon atë luftë, nuk e përfaqëson shpirtin e këtij vendi”, ka përfunduar ajo.
Ndryshe, Donika Gërvalla, ka komentuar deklaratën Gecit që e kishte bërë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në ditën kur ishte shpallur vendimi përfundimtar për rastin e Liridona Ademaj.
Në atë seancë, gjatë një debati për Partia Demokratike e Kosovës, Geci kishte deklaruar se edhe personat që ndodhen në Hagë duhet të marrin “vendim të njëjtë”, duke iu referuar dënimit me burgim të përjetshëm të Naim Murseli.
Lidhur me këtë deklaratë, Gërvalla tha se e respekton atë që ka thënë Geci, duke përmendur historinë dhe sakrificën e familjes së tij.
“Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë pa dashur të bëjë avokatin, e as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.