Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka hedhur poshtë pretendimet se Ligji për të Huajt mund të përdoret si një mekanizëm për presion institucional mbi serbët në Kosovë. Në një intervistë me RTK2, Bislimi foli gjithashtu për planet për integrimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimit që funksionojnë sipas sistemit serb, si dhe për rolin e pushtetit lokal në këtë proces.
I pyetur për shqetësimet e serbëve në Kosovë se Ligji për të Huajt mund të përdoret si “mekanizëm për presion institucional”, zëvendëskryeministri në detyrë theksoi: “Ligji jep, e nuk kufizon të drejta. Asnjë i huaj nuk duhet të frikësohet nga ligji; personi që fiton status sipas këtij ligji do të jetë i mbrojtur institucionalisht. Ligji nuk është selektiv dhe nuk do të godasë një nacionalitet të vetëm”, theksoi Bislimi.
Përveç ligjeve për të huajt dhe automjetet, Bislimi foli gjithashtu për integrimin e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, të cilat ende funksionojnë sipas sistemit të Serbisë. Ai theksoi se problemi nuk është në zbatimin e ligjit, por te institucionet, të cilat, sipas tij, duhet të “legalizohen dhe legjitimohen”.
“Nevojitet kohë që këto institucione të futen në kuadrin ligjor të Kosovës. Një rol të rëndësishëm në këtë proces kanë kryetarët e komunave. Ata kanë kompetenca të mëdha në arsim dhe shëndetësi dhe kanë buxhete të parapara për financimin e këtyre kategorive. Kryetarët e komunave me shumicë serbe kanë më shumë kompetenca sesa kryetarët e komunave të tjera. Serbia mund të ndihmojë edhe financiarisht komunat me shumicë serbe”, tha Bislimi.
