Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, pas takimit të ministrave të BE-së për çështje europiane ku ndër të tjerë po marrin pjesë edhe ministrat nga Ballkani Perëndimor, tha se Kosova po e pret momentin kur do ta marrë pyetësorin për të siguruar statusin e vendit kandidat.
Por, Bislimi për gazetarët atje që e pyetën mbi progresin e këtij takimi, tha se problemi me të cilin përballet Kosova në rrugën e saj drejt integrimit europian s’është i brendshëm dhe se varet nga faktorë të jashtëm.
“Kosova është tashmë duke e zbatuar MSA-në qe 10 vjet dhe shohim se institucionet tona e kanë kapacitetin për të implementuar reformat e nevojshme nga procesi i integrimit, më mirë edhe se shtete të tjera në momentin kur ata e kanë marrë statusin e vendit kandidat dhe ajo çfarë ka rëndësi është se problemi me të cilin Kosova po përballet nuk është i prodhuar së brendshmi, por ka të bëjë me faktorë të jashtëm, përtej kontrollit të vendit tim dhe kjo nuk e prek detyrimisht marrëdhëniet që i kemi me Komisionin Europian”, tha Bislimi.
