Një takim mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, është lajmëruar se do të mbahet në Bruksel nën ndërmjetësimin e emisarit Peter Sorensen. Lajmi për të u bë i ditur nga pala serbe mbrëmë dhe BE sot, ndërsa në Kosovë nuk njoftoi askush. Ky takim do të jetë i pari për këtë vit dhe vjen pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë e Beograd.
Zyra e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, nuk ka treguar nëse zëvendësi i Kurtit ka udhëtuar drejt Brukselit për një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Brukseli ka konfirmuar duke thënë se bëhet fjalë për takim të rregullt.
“Mund të konfirmojmë se emisari special i Bashkimit Evropian për Dialogun, Peter Sorensen është duke udhëhequr takimin e rregullt të kryenegociatorëve në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigje zyrtare të BE për Kohën.
Gazeta Express ka provuar të marrë përgjigje nga këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, por ai s’është përgjigjur në pyetjen e gazetës.
Takimi vjen pas një vizite që pati emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në Prishtinë e më pas edhe në Beograd.
Derisa qëndroi në kryeqytetin kosovar, diplomati danez tha se ishte optimist që ky vit do të hapte rrugën pas bllokadës ku ka hyrë procesi i dialogut.
Takime të nivelit të lartë s’janë mbajtur që nga viti 2023 kur u rritën tensionet mes dy vendeve fqinje për shkak të sulmit të Banjskës.
