“Ky është çmimi i përballjes së mëhershme me tiraninë. Unë sot jam i privuar përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht.”
Intervistë e Adriatik Kelmendit me Hashim Thaçin
Adriatik Kelmendi: Pak kohë më parë ju humbët babain. Sa ju ka pikëlluar vdekja e tij?
Hashim Thaçi: Zhvillimet rreth pyetjes suaj kanë një parahistori, në korrik të vitit 2023 me lejen e DHSK-së në vendlindje vizitova prindërit i gjeta në gjendje jo të mirë shëndetësore u preka shumë. Kuptova se pleqëria dhe mërzia kishin bërë punën e vet në shëndetin e tyre fizik, por jo moral. Në këto rrethana të rënda, edhe pse fjalëpakë, tek ata përsëri gjeta humorin e lehtë dhe të këndshëm. Gjithherë jam munduar të mos i shqetësoj, por e di se janë mërzitur shpesh nga shqetësimi për mua. Ata nuk kishin frikë, por si çdo prind për djalin apo vajzën gjithmonë ka drojën, kam parasysh edhe rrethanat e rrezikshme që kemi kaluar si popull.
Në pak orë qëndrimi më ringjiznin vlerat e tyre shpirtërore, solidaritetin dhe humanizmin, dinjitetin, shijen për gjëra të mira. Ata kanë sakrifikuar shumë duke rritur tetë fëmijë në rrethana dhe hapësirë jo të lehtë sociale dhe gjeografike, por duke i dhënë kuptim jetës përmes punës, një vullnet i pathyeshëm për t’i edukuar fëmijët. Shembull i mirë për mjedisin shoqëror të asaj kohe.
Prindërit më mishëruan ABC-në e dashurisë për truallin ku kam lindur, familjen, fqinjin, ATDHEUN dhe LIRINË. Lidhjen e ngushtë me prindërit e kam ruajtur të pacenueshme në çdo kohë dhe rrethanë të jetës, si fëmijë, nxënës, student, djalë i diasporës, luftëtar lirie apo edhe si politikan dhe tash si i privuar nga liria. Jam munduar të mos i lëndoj, por edhe nëse e kam bërë ndonjëherë, jam penduar shpejt, kjo ka ndodhur kur isha fëmijë.
Por sa më shumë ecën koha po kuptoj, se sa pak kohë i kushtojmë prindërve, kur zhytemi në vorbullën gëlltitëse të zhvillimeve ditore, ndonjëherë edhe të padobishme.
Tani mendoj për kohën më shumë që ata do të donin të kalojnë me fëmijët që i lindën dhe i rritën, e tash edhe mbesave e nipërve. Prindërve ua kam borxh jetën. Ju përulem për të gjitha, më dhanë besim për jetën dhe MUNDESINË për të ecur pa u ndalur. I dhanë kuptim dhe karakter jetës sime etike dhe profesionale. Më jepnin buzëqeshjen e tyre të bukur, që mua më lumturonte dhe energjizonte. Por babai dinte edhe të zemërohej, ruaj në kujtesë ndëshkimin e tij kur vonohesha duke tejzgjatur lojën e futbollit me shokët e shkollës deri në errësirë duke u kthyer i përbaltur në shtëpi. Ndëshkimi ishte të qëndroja për një kohë në oborr. Kjo masë vazhdonte, derisa ndërhynte nëna e cila me urtësinë e saj e binde babain të hiqte dorë nga ndëshkimi.
Prindërit më kanë rritur sigurinë në gjërat që kam bërë gjatë jetës.
Ruaj të freskëta me dhimbje dhe forcë gjestet e nënës dhe babait, duart e ngrohta të tyre, përqafimin e përmallshëm. Gjatë kësaj vizite vërejta më shumë rrudha në ballin e tyre, por kujtesë dhe kthjelltësi mendore të mirë. Kur u përshëndetem dinjitetshëm më thanë rruga e mbarë dhe mirë u pafshim, me zemër të lënduar, pa lot në sy, por thellë-mendueshëm. Sido që të jetë shpirti dhe zemragur e tyre e di.
Po atë mbrëmje u ktheva në Hagë.
Një kohë kur isha nxënës kisha kuptuar pse babai me gjithë ofertën nga disa të afërm dhe miq kishte sfiduar mundësinë në vitet tetëdhjeta për të mërguar si gastarbajter në Gjermani apo Austri, me arsyetimin se “ishte i vetëm në shtëpi, duhej të punonte tokën të mos mbesë djerrinë dhe të qëndronte afër fëmijëve”. Kam bindjen arsye e vetme ishte prindërit nuk mund të rrinin pa njëri-tjetrin, ndërsa bashkimi familjar në perëndim atë kohë pothuajse ishte tabu për punëtorët jashtë vendi, kam parasysh edhe moshën e thyer të gjyshit dhe gjyshes për të cilët edhe realisht duhej të kujdesej.
Babai më thoshte: “Je hy në punë të rënda… sa për Serbinë mos u mërzit, veç me shokë mos u korit”
Gjatë vitit 2024 edhe pse në gjendje aspak të mirë shëndetësore prindërit me vizituan për herë të dytë në hapësirat e qendrës së paraburgimit. Ishte rrethanë mallëngjyese. Kaluan tri orë sikur të ishin tre minuta. Mbetëm të etur për të vazhduar muhabetet. Edhe pse të lodhur nga mosha për të pritur mysafirë, tregonin falënderim, mirënjohje për solidaritetin e shumë njerëzve me vizitat e tyre në Burojë. Që të relaksoja më shumë ndejën, ju kujtoja kujdesin që tregonin për mua kur isha nxënës dhe udhëtoja me autobus çdo dite nga Buroja në Skenderaj, më jepnin para çdo ditë për burek, çaj dhe blerjen gazetës “Rilindja”; unë më tepër lexoja faqet sportive, rubrikën e kulturës dhe ndonjë fejton historik qe ia vlente. Me prisnin në mbrëmje për darkë. Kujdeseshin në imtësi për higjienën dhe veshmbathjen. Më kursenin nga punët e shtëpisë.
la freskova babait kujtesën për një bisedë që kishim zhvilluar në një nga pranverat e fillim viteve nëntëdhjeta, tanimë student gjatë një fundjave në kopshtin e shtëpisë, duke i ndihmuar në mirëmbajtjen e oborrit – kositjen barit në një moment pushimi nën hijen e një qershie kur ishim vetëm për vetëm më tha: “E di dhe po e shoh se je hy në punë të rënda“, vazhdoi “diçka dua të të them, sa për Serbinë mos u mërzit, veç me shokë mos u korit”.
Ai i njihte, i priste ne shtëpi i respektonte i donte shumë, me shumicën prej tyre ishte bërë edhe bashkëluftëtar (në kohën kur pasuli hahej me nga një kokërr). Pas luftës ata që kishin ra në altarin e lirisë i kujtonte dhe evokonte kujtimet për të bërat e tyre heroike në bashkëbisedime me njerëzit, ndërsa me ata që mbetën gjallë ruajti gjithmonë respektin për sakrificën dhe raportin njerëzor shumë te afërt personal deri në çastet e fundit të jetës. Ndihem çdoherë i nderuar nga ai raport i veçantë i babait me shokët e mi. Në Burojë ai i kishte pritur dhe përcjellur shume prej tyre në kohëra dhe rrethana të paharruara. I kishte kaluar i pacenueshëm edhe bastisjet në fshat dhe arrestimin që ia kishin bërë në vitet 1993 dhe 1997.
Këshillat e tij më kanë përcjellur gjithmonë, më janë përputhur jo rrallë me realitetin e përvojës sime jetësore. Prindërit nuk e kanë pëlqyer jetën e të rënit në sy apo të veçuar, megjithëse pa dëshirën e tyre dhe pahetueshëm kjo ndodhi. Nuk ishin nga ata që pëlqenin politikën, por e përcillnin. Gjatë kësaj vizite i pyeta sa për të provokuar bisedën se pse nuk vinin në më shumë ngjarje publike dhe politike, baba me tha, “t’i duhet te jesh vetja jote”. Njëherë më kishte vizituar në zyrën e punës në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Po me dhimesh se ke me hjek shumë, ishalla ke edhe njerëz të mirë rreth vetes”
E kujtoj bisedën me prindër pas zgjedhjeve lokale në nëntor 2000 kur të dytë si duke plotësuar njëri-tjetrin sikur donin të më ngushëllonin për humbjen më thanë: “Nuk është fundi i botës, jeta është e gjatë, i ri je, ruaje shëndetin, veç rri drejt zoti te ndihmoftë”.
Babai qeshte me zë kur i përmendja bisedën në mëngjesin e parë të pasfitores zgjedhore parlamentare dhe lokale të nëntorit 2007, kur i emocionuar dhe i gëzuar, por shume seriozisht me tha, “po me dhimesh se ke me hjek shumë, ishalla ke edhe njerëz të mirë rreth vetes, edhe kalon mirë me qita që kane ardhë prej botës këtu”.
Me babain kisha thyer konfidencialitetin e mos bërjes publike të ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vetëm tri apo katër dite përpara të dielës së 17 shkurtit të v. 2008. Gjatë bisedës telefonike të rregullt ditore të mëngjesit më pyeti “kur po kryhet qikjo puna e madhe?”, i thashë “me kismet të dielën pasdite”. Nuk kisha bërë asgjë të gabuar. Ai ishte bashkëluftëtari im nga orët e para, e dija se nuk do fliste me askënd.
Prindërit ishin të parët që më uruan në telefon pak çaste pas shpalljes se pavarësisë: “Përhajr dhe e gëzofshim”.
Gjatë fushatës për mandatin e tretë, 2014, prindërit, Lumja dhe Endriti do të bëheshin pjesë aktive dhe e rëndësishme e pjesëmarrjes në fushatë. Ata do të merrnin pjesë në tubime, do të flisnin në media. Ishte hera e parë që në Kosovë prindërit e ndonjë lideri shfaqeshin në publik me mesazhe mbështetëse për birin e tyre. Fjalët që kishin zgjedhur dhe mënyra si ishin prezantuar kishte fituar një pëlqyeshmëri të respektuar në opinionin publik. Kishin folur për karakterin tim që buronte nga ADN-ja e tyre. Prindër të thjeshtë dhe origjinalë. Fitorja ishte spektakulare e gjashta më radhë. Shpesh u thosha “këtë fitore iu dedikoj juve”.
Do të jetë e paharrueshme mbresa dhe emocionet që shihja në shpirtin dhe fytyrën e tyre në rastin e inaugurimit tim si President në sheshin “Nena Tereza”, në prill 2016; e lexoja dhe ndieja krenarinë e tyre për birin e tyre.
Të kemi parasysh, nuk është e lehtë të jesh prind, bashkëshort apo fëmijë i politikanit në hapësirat tona. Përpos fjalëve dhe ditëve të mira, duhet te durosh gjëra dhe ditë të paimagjinueshme negative – atakuese kundër suksesit. Nuk kishte ndodhur më parë që prindërit e një djali a vajze në vendin tonë merrnin pjesë në ceremoninë më të lartë shtetërore. Pikërisht në sheshin simbol të protestave antijugosllave, tani simbol i paqes në Kosovën – shtet.
Ndihesha shumë krenar me ta dhe me prezencën e tyre. Ata dinjitetshëm pranuan me shtrëngim duarsh urimet e diplomatëve dhe pjesëmarrëseve vendorë në përmbyllje të ceremonisë. Morën pjesë edhe në drekën e shtruar enkas për mysafirë nga presidenca. Duke u ndarë në fund të kësaj vizite si me një zë më thanë “Po jetojmë duke të pritur”, e dija se kjo rrethanë ishte bërë barrë e rënde për moshën e tyre…
Mungesa ime i kishte goditur shumë.
Nga kjo vizitë e kuptova se tani e tutje çdo takim ose bisedë telefonike mund të jetë e fundit, tutje tregova edhe më shumë i kujdesshëm për orarin që duhej thirrur dhe shfrytëzimin maksimal të kohës për të biseduar sa ma shpesh me ta.
Në bashkëbisedim me prindër shpirti dhe mendja me fluturonin gjithmonë drejt vendlindjes, lojërave rinore, fushave, kodrinave qe lidhen me kuptimin e fëmijërisë sime. Edhe pse shpesh në distancë me njëri-tjetrin, gjithmonë marrëzisht kam qene me ta dhe i tyre.
“Po kthehesha më i thinjur, por kisha ndjesinë se Kosova disi ishte e lodhur dhe e molisur”
Adriatik Kelmendi: Megjithatë, ju e vizituat babain në spital dhe biseduat me të vetëm disa ditë para vdekjes. Çka biseduat bashkërisht, dhe si u ndjetë të flasnit me babain në rrethana të tilla, duke e ditur se mund edhe mos ta takoni më kurrë?
Hashim Thaçi: Në ditët e para të janarit të këtij viti, nga familjarët u informova se gjendja e babait ishte përkeqësuar. Bisedat telefonike apo ato përmes videolidhjes u rralluan nga pamundësia e tij për t’u përgjigjur. Edhe kur flisja shkurt nuk ishte më zëri i tij edhe në pamje kishte filluar të ndryshonte, por përpiqej të mos jepej. E kuptoja, nuk doja të besoja. Ishte nisur në rrugëtimin e botës së përtejme.
Po bëheshin tre muaj që babai ishte sëmurë rëndë.
Paneli i gjyqtarëve pas një kohe aprovoi lejen për një vizitë disa orëshe në Kosovë.
I shoqëruar nga oficerët e DHSK-së dërgohem në Kosovë.
Në Prishtinë po kthehesha pas katër vite e gjysmë. Duke zbritur nga drejtimi i Vetrenikut, afrohem afër hapësirës ku valvitet flamuri kombëtar, nga shirat dhe ndotjet dukej i qullosur, i fjetur, mezi rrinte i varur në shtyllë metalike. Shqiponja e ndarë në pjesë që vështirë ishte të ringjiteshin. Trafiku si gjithmonë i ngarkuar, lëvizjet e njerëzve shumë dinamike, kafet-baret plotë e për plot gjallëri. Tanimë ishte mesditë, koha me diell, ishte bërë publik lajmi për rikthimin tim, disa qytetarë me familjarë të tyre kishin dalë në ballkonet e banesave regjistronin me telefonat e tyre lëvizjen e eskortës që më barte. Ishim jo larg njëri-tjetrit, unë i shihja ata nuk mund të shihnin, na ndante xhami i errësuar i makinës. Mendoj se kishim të njëjtin sentiment.
Kaloj përreth hapësirës ku me herët ishte vendosur vërja e shtatores së A. Demaçit, nuk kishte risi, nuk u befasova, e kuptoja arsyen e paarsyeshme të mos verjes ende, thashë me vete. “LIRIA E KOSOVËS ËSHTË MONUMENT I ADEM DEMAÇIT”. Prandaj, nuk ka bust, lapidar apo shtatore që e zëvendëson lirinë e një populli.
Kështu e përjetova hyrjen në Prishtinë. Po kthehesha më i thinjur, por kisha ndjesinë se Kosova disi ishte e lodhur dhe e molisur. Edhe pse nuk jam nga ata që nga mosprezenca në mjedis, të ndikohem që gjerat t’i shoh bardhezi. Përkundrazi! Kam besim te pathyeshëm në ecjen e Kosovës.
Kisha lodhje dërmuese dhe ndjenja të përziera, isha mes botës reale e dija se babai po na linte dhe botës imagjinare asesi nuk doja të pajtohesha.
I shoqëruar nga e autoritet e sigurisë së DHSK-së, shpejt ngjitem shkalleve në katin e dytë të Klinikës. Nëpër korridor dhe shkallet lidhëse të kateve kishte njerëz që kishin qëlluar spontanisht, sigurisht për t’i vizituar të afërmit e tyre dhe mjek e mjeke me të cilët në distancë pa ndërruar fjalë u përshëndetëm ngrohtësisht.
Nxitimthi do të gjendem në dhomën ku ishte vendosur babai, ishte duke më pritur me padurim, ashtu i shtrirë përqafohemi gjatë me aq fuqi që i kishte mbetur, dukej i buzëqeshur, i emocionuar, thellësisht i prekur shpirtërisht. Unë u ndjeva i pafuqishëm dhe i mundur fizikisht dhe emocionalisht. Pandehja se do të qëndroja i fortë, por jo nuk mund t’i ndalja lotët. Që të dukesha më i freskët shpejt shkova në banjo ku fshiva lotët duke pastruar fytyrën. Zoti më dha forcë për të përballuar ato momente. Në dhomë ishin edhe nëna dhe Lumja. Nëna ulur në karrigen me rrota dhe ngjitur me shtratin me babain shtrirë. U ula buzë shtratit.
Disa herë me pyeti, “A je kthy me shokët?”, duhej t’i thoja, “Po”. U gëzua si fëmija.
Babai dukej i rrënuar fizikisht, por nuk vërejta sfilitje shpirtërore, aftësia në të folur i ishte dobësuar shumë, pozitiv në ato pak gjëra që flisnim, i kishte ndodhur një përmirësim pothuajse imagjinar para largimit nga bota tokësore e cila tanimë ishte çështje jo ditësh por orësh. Me ne qëndroi mjeku, Kastrioti, gjatë gjithë kohës. I lutem Zotit dhe përulem me respekt për mjeket dhe gjithë stafin ndihmës që e mbajtën gjallë derisa u takuam.
Me përjashtim gjatë fëmijërisë sime të hershme dhe atë pa të keq nuk e kisha gënjyer, atë ditë u detyrova nga dashuria, që kur të largohesha të mos ndihej i braktisur, vdekja sikur nuk bënte pjesë në planet e tij mendore dhe të ndërgjegjes, edhe në ato orë ndjeva veç dashuri aspak dëshpërim. Disa herë me pyeti, “A je kthy me shokët?”, duhej t’i thoja, “Po”. U gëzua si fëmija. Derisa Lumja e ushqente me supë, dëshironte të fliste e të fliste me mua me gjithë fuqinë e mbetur. “Shumë mirë që qenkan lëshu krejt shokët”, e përsëriti disa herë atë ditë.
Ishte i përmbushur.
Kur erdhi koha për tu përshëndetur e që të largohesha me lehtë i thashë “Po shkoj ne Burojë të pres atje për çaj”, mu përgjigj, “shumë mirë, shko se edhe unë vij me kismet shpejt, nuk kam çka me nejt këtu”. Me çdo kusht dëshironte të kthehej në shtëpi. U përqafuam dhe u përshëndetem si babai me djalin, kur dola tek dera u ndala edhe një herë e shikova drejt në sy, derisa i kishin shtrënguar duart e njëri-tjetrit me nënën, sikur të ishin adoleshentë të dashuruar. Shikimi i tij pushtoi gjithë qenien time. Ajo buzëqeshje do të më percjell përjetësisht, e dija se ishte vështrimi i fundit, ishte shikimi LAMTUMIRËS. Ndjeva dhimbjen e thellë të zemrës dhe nyejve të gjymtyrëve te trupit.
“Sot i them, Babë edhe për këtë mungesë të paarsyeshme (në varrim), jam plotësisht i pafajshëm”
Adriatik Kelmendi: Ju nuk ishit të pranishëm në funeralin e babait, sepse nuk u lejuat. Si e komantoni këtë rrethanë?
Hashim Thaçi: Pas pak kohe, babai u nda nga jeta në paqe, i rrethuar me dashuri nga familja bërthamë, nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e mjekëve. Ai shkoi me brengën time. Homazhet lamtumirëse dhe akademinë përkujtimore e përcolla në TV nga vetmia e qelisë. Flamuri kombëtar dhe shtetëror i shkonin për hijeshi mbi arkivol. Falënderime dhe respekt për të gjithë ata dhjetëra e mijëra njerëz që ndan dhimbjen dhe solidaritetin me familjen.
Unë nuk arrita ta prisja babën as të gjallë as të vdekur në vendlindje, as një grusht DHE nuk arrita ta hedhja gjatë ceremonisë së varrimit. Rendi e donte të isha i pari ta prisja në Burojë siç i kisha premtuar; shkova i fundit.
Sot i them, Babë edhe për këtë mungesë të paarsyeshme, jam plotësisht i pafajshëm.
Kështu iku BABA – njeriu më i dashur, i adhuruari, frymëzuesi dhe mbrojtësi im.
Ngushëllimi i nënës: “Lum baba yt për vete, e lum ti për babën”
Adriatik Kelmendi: Dhjetëra mijëra qytetarë prej gjithë Kosovës dhe më gjerë morën pjesë në ceremoninë e varrimit dhe tutje edhe në ngushëllime. Si e vlerësoni?
Hashim Thaçi: Pas tri dite, me lejen e DHSK-së, e vizitova vendlindjen. Në varrezat e reja të fshatit ishte shtuar një varr i ri. Qëndrova në nderim 9 minuta në rrethana të pazakonta e të paimagjinueshme. Një minutë nderim për çdo dekadë të jetës së tij. Pjesëmarrja e madhe e qytetareve në ceremoninë mortore kishte bërë që toka dukej e rrahur, por e qulltë. Lulenderimet dhe mbishkrimet në kurora mbi varr ende ishin të freskëta, lexoj nderime nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Ulqini, Presheva, diaspora etj. Dielli shkëlqente atë ditë prag-pranverore. Ajri, pemët dhe toka kishin marrë arome shiu. Pas pak në shtëpi, në Burojë, takoj nënën. Jo e lehtë – qëndronte e fortë dhe e qetë. Ngushëlluam njëri-tjetrin, fjalët që atë ditë më përsëriste ishin: “Lum baba yt për vete, e lum ti për babën”. Drekuam së bashku. Shumicën e kohës e kaluam ulur në kopshtin e oborrit, e ndjeja thellësisht dashurinë e saj dhe ngrohtësinë e shkëlqimit të rrezeve të diellit.
Atë ditë disi ndihesha me faj, sepse shpesh kam qenë burim i shqetësimeve për ta, para, gjatë dhe pasluftës.
Gjatë fluturimit, duke u kthyer në Hagë, isha zhytur në mendime të pafundme për babain.
Nuk është fshehtësi, vdekja e tij më ka ndryshuar shumë – është zbrazëti që nuk po e mbushë assesi. Po jetoj me ndjesinë dhe pikëllimin, koha nuk po e zbut, po e ruan dhimbjen. Mendoj për ditët e mëhershme kur ishte gjallë, ndiej një ringjallje të tij në jetën time. Ai la je dritë e cila nuk do të fiket kurrë në familjen tonë.
Por sot ky është fatalitet, jo fat im në këtë fazë të jetës. Jam i vetëdijshëm se mërzia dhe burgu nuk shkojnë bashkë. Nuk harroj që nëse jo trupin, kudo dhe në çdo rrethanë mendjen e kam të lirë për të menduar, por të kufizuar për t’u shprehur.
“(Këtu) askush nuk hap tema të politikës ditore, edhe nëse ndodh rastësisht askush nuk bëhet pjesë”
Adriatik Kelmendi: Po bëhen 5 vjet që nga koha kur jeni duke u mbajtur në burg në Hagë. Si e keni përballuar deri më tash?
Hashim Thaçi: Nuk është enigmë, fati që po përjetoj tejkalon veten time. Është i pandarë me rrugën e kaluar për liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës. Interesant përsëri nga Kosova po nxirren shembuj brengosës. Të jam mirënjohës, Adriatik, që më gjete edhe në këto vrima të thella të pasmureve dhe hekurave të lartë të Hagës.
Si e kalojmë kohën? Komentojmë ndonjë libër apo artikull së lexuari së fundmi. Ndonjë dokumentar apo film që është shfaqur rishtazi. Megjithëse edhe këtu prirjet dhe shijet e njerëzve janë të ndryshme. Është interesant, askush nuk hap tema të politikës ditore, edhe nëse ndodh rastësisht askush nuk bëhet pjesë – me abstenim mbyllet shpejt. Këtu ke kohë për të menduar dhe diskutuar për gjithçka që do.
Të mos keqkuptohem, ky ambient ngjan edhe si shtëpi pleqsh ku jo rrallë luhet letra, shah, lexon apo shfleton çdo gazetë që të bie në dorë, merresh me zgjidhje fjalëkryqesh, zhvillohen biseda familjare dhe rreth aktualitetit, dhe ku jo rrallë bëhet edhe muhabet koti, je i privuar nga aktiviteti për jetë normale, komunikim e lëre më pjesëmarrje në botën e jashtme. Përpiqem të kaloj një rrethanë më ndryshe seç fola më lartë. Të jem sa më pozitiv me veten dhe të tjerët – mendoj sa më shumë për gjëra të bukura. Këtu është e vështirë të bësh gjëra të dëshirueshme dhe ndërtuese. Jeta e vërtetë është jashtë kësaj kornize hapësinore.
“Në kuzhinë nuk kam qenë për t’u lavdëruar, tash jam përmirësuar kogja… Mediat lokale, i përcjell pak, ose fare”
Adriatik Kelmendi: Çfarë ju ka munguar apo jeni privuar, përveç lirisë, gjatë kësaj kohe që jeni në burg?
Hashim Thaçi: Jetën e re e kaloj në kornizat e rrethanave të reja jo vetëm fizike, por edhe leximit, mendimeve dhe meditimit, që kapërcejnë muret e qendrës së paraburgimit, që fillon nga vendlindja si fillim i botës dhe atdheut tim. Kultivoj përvojën e të menduarit dhe vështrimit për botën dhe shoqëritë përmes leximit të librave të zgjedhur dhe përfaqësues. Mendja më ngulitet, bëj shëtitje dhe stërvitje të muskujve të trurit nëpër histori të popujve dhe civilizimeve për të pikasur mbijetesën dhe formësimin e shqiptarëve me ndjenjën dhe përcaktimin perëndimor. Aty e gjej edhe fatin dhe rolin historik, të sotmen dhe të ardhmen edhe të shtetit të Kosovës.
Gjatë ditës bëj telefonata familjare, në kohën e lejuar nga DHSK-ja pres në vizita familjarë dhe miq, paradite ose në mbrëmje bëj palestër; në kuzhinë nuk kam qenë për t’u lavdëruar, tash jam përmirësuar kogja. Kur e kam të nevojshme për lëndën e akuzës, bëj konsultime me ekipin mbrojtës, marr pjesë rregullisht në seancat gjyqësore, të cilat më janë bërë art i ri i formësuar në jetën time. Pastrimin dhe hekurosjen e teshave e bëj pa përtesë. Dhomën e qëndrimit në paraburgim mundohem ta mbaj sa më të pastër. Kujdesem edhe për pastërtinë e shtrojës dhe mbulojës. Në muret e dhomës mbaj një foto të përbashkët të rrethit të ngushtë dhe të gjerë familjar, të cilët më vështrojnë dhe i shikoj gjatë gjithë kohës, kështu komunikojmë mes vete; ata janë frymëmarrja, energjia dhe drita ime edhe në momente më të liga që mund të kaloj këtu, mes katër mureve betoni të ngushta, të ftohta, të errëta dhe derës së hekurt të qelisë.
Në televizor përcjell futboll, tenis dhe gjatë dimrit garat e skijimit, përsëri lexoj apo shkruaj diçka, dëgjoj muzikë të zhanreve të ndryshme, popullore, klasike, folklor, jazz etj. Lexoj rregullisht gazetën “Politico” të sjellur nga DHSK dhe më herët ditoren “The New York Times”, të parapaguar nga ana ime. Në mbrëmje ndodh që shikoj ndonjë film apo dokumentar. Por, mundohem t`i ik sa ma shumë shprehisë për t’u ulur përpara televizorit, e cila mund të sjellë dembeli dhe ngulfatje mendore.
Mediat lokale, i përcjell pak, ose fare. Përpiqem të qëndroj sa më larg jehonës apo ndikimeve të zhurmave të grumbullit të njerëzve tanë. Çdo zhvillim i mirë për Kosovën më gëzon, sikurse çdo gjë jo e mbarë më bënë të ndihem jo rehatshëm, ma ndan zemrën në dysh, edhe pse arrij të rezistoj e të mbahem në këmbë, por janë plagë që nuk shërohen e mbyllen lehtë.
“Mendjen, shpirtin dhe trupin nuk ua dorëzoj rrethanave izoluese”
Orarin e shëtitjes në ajër të pastër nuk e humb kurrë, qoftë moti me vapë, shi, erë apo borë, megjithëse këtu borë bjen shumë rrallë dhe shkrihet shpejt. Shiu është i rrëmbyeshëm i përcjellur me erë të fortë e ndonjëherë edhe i acartë, por nuk më ndalon në ecje. Tani më janë stërvitur veshët me zhurmën e erës, e cila përsëritet… përsëritet e përsëritet, në çdo stinë. Vapa nganjëherë ndodh të jetë përcëlluese dhe lagështia ngulfatëse. Në këto hapësira nuk e ndiej ngrohtësinë e rrezeve të diellit. Gjumin e bëjë rehatshëm. Në ushqim nuk jam ndonjë nazeli i madh, rrallë përdor ushqimin e ofruar nga burgu, porosisim sipas dëshirës nga mundësia e ofruar njëherë për gjithë javën. Duhan nuk kam përdorur, tash e refuzoj edhe më tepër. Përdor çajra të ndryshme. Ndërsa frutat dhe perimet janë të pazëvendësueshme edhe këtu.
Kur është koha e mirë, luaj tenis; më herët si nxënës dhe student kam luajtur pingpong, tenis po luaj për herë të parë këtu, jam i mirë dhe kogja preciz në sulm, por jo edhe aq në kthimin e topit. Ky sport më vë në lëvizje gjithë muskujt e trupit, aq e domosdoshme për rrethanat e pasivitetit. Edhe “loja me flutura” më inspiron. Për futboll apo basketboll jemi të hendikepuar nuk mund t`i bëjmë dy ekipe për lojë. Nganjëherë bëjë lojën solo në basketboll me gjuajtje në kosh… ende mbahem mirë me shënimin e tresheve… Mendjen, shpirtin dhe trupin nuk ua dorëzoj rrethanave izoluese; ruaj gjallërinë, fuqinë fizike dhe freskinë mendore, që në asnjë rrethanë të mos më pllakos molisja apo larg çoftë të shterrem. Një nga synimet apo rreziqet në të tilla procese është shtrydhja, shterimi, dorëzimi deri te kalimi gradual në fazën e sublimes. Çdo aktivitet që e bëj edhe këtu përpiqem ta përjetoj.
* * *
Festat kombëtare 28 Nëntori apo 17 Shkurti, apo ditët fetare dhe atë të ndërrimit të moteve e vetorganizojmë sipas rrethanave në mënyrë modeste. Natën e Vitit të Ri u befasova me shumë fishekzjarre në qytetin e Hagës, sesa në Prishtinë. Nuk jam ithtar i organizimit të ndejave të gjera apo të zhurmshme, por më mungojnë urimet fizike dhe përqafimet familjare. Për 21 vitet (1999-2020) që i jetova dhe gëzova lirinë e Kosovës, gati të gjitha eventet familjare apo festat kombëtare i kam kaluar në vendlindje, përpos gruas dhe djalit, gjithmonë kam pasur dëshirë të jem afër dhe ngre dolli edhe me prindër dhe me familjarë të tjerë.
Është jo e lehtë të jesh larg familjes dhe njerëzve që i do dhe të duan. Larg nga vendi ku ke lindur dhe rritur. Ndihem i bekuar nga fati historik që linda dhe u rrita në Kosovë (Drenicë), vend të cilin e dua shumë. Por ky fakt gjeografik nuk i jepte jetës sime kuptimin e plotë përtej kësaj hapësire prej më të izoluarve dhe të pazhvilluara në Ish-Jugosllavi. Vetëm kah mesi i viteve të thjeshta kur vizitova vëllezërit në Vjenë dhe motrën në Paris, u bëra i vetëdijshëm se e ndjeja veten evropian. E edhe Kosova mund të bëhej evropiane. Por, fillimisht duhej të fitonim lirinë.
Lumja dhe Endriti më vizitojnë çdo muaj, dy apo tre ditë radhazi. Ky është çmimi që po paguan familja ime dhe të burgosurve tjerë – udhëtim 4.000 km ardhje-kthim për një vizitë. Vizita të rregullta kam edhe nga rrethi i gjerë familjar; më vjen keq që nuk kam mundësi t`i takoj të gjithë, për shkak të kufizimeve procedurale. I falënderoj shqiptarët jashtë vendi për interesimin, mbështetjen dhe vizitat që më kanë bërë. Vetëm ata që kanë qenë në burgje e dinë, e për këtë fakt kosovarët mbajnë rekord evropian për numër të banorëve në Evropë në vitet 1945-1990. Se nuk ka asgjë më frymëzuese për një të burgosur sesa kur për kauzën e drejt për të cilën mbahesh brenda krijohet konsensus qytetar jashtë.
Këshilla refren (e miqve ndërkombëtarë) ishte: “Mendo, beso, shiko kah e ardhmja”
U jam mirënjohës edhe miqve ndërkombëtarë që kanë ardhur nga kryeqendra të ndryshme evropiane apo SHBA-ja… këshilla refren i të gjithëve ishte: “Mendo, beso, shiko kah e ardhmja”. Ata e kanë ruajtur besimin për Kosovën dhe mua, kjo më bën të ndihem mirë.
Tash së fundi, një miku im diplomat ndërkombëtar, pas vizitës së tij më kishte dërguar edhe dy libra të shkëlqyer “HOMELANDS” nga autori Timothy Garton Ash, një rrëfim personal unik evropian para dhe pas rënies së perdes së hekurt, si dhe librin “LUKA – a Novel”, shkruar nga diplomati dhe shkrimtari britanez lan Bancroft, njohës dhe përjetues i jashtëzakonshëm i ngjarjeve të ish-Jugosllavisë, në veçanti të Kosovës. Edhe pse ngjarjet e rrëfyera dhe karakteret janë fiktive në librin e Bancroft, kanë shumë ngjashmëri me atë çka ka ndodhur në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë apo në Kosovë, si në luftë dhe paqe, dhe domosdoshmërinë për drejtësinë, paqen dhe pajtimin mes popujve. Duke ruajtur gjithmonë shpresën si dritë në fund të tunelit. Edhe përkundër abuzimeve, dhunës gjatë dekadave ai sjell mesazhin “Po dashurisë -Jo urrejtjes” mes njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike, fetare dhe sociale.
Miqtë ndërkombëtarë gjejnë forma të ndryshme publike, private apo edhe përmes vizitave për të më uruar përvjetorët e pavarësisë së Kosovës.
Jam prekur dhe emocionuar shumë prej përmbajtjes së letrave apo kartolinave që kam pranuar nga nxënës, studentë nga Kosova, Shqipëria dhe qytetarë nga diaspora, në rastin e përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës. Unë ju them – JU DUA SHUMË, JETONI LIRINË, ruajeni dhe afirmojeni me integritet dhe dinjitet shtetin. Ndërsa unë këtu ku jam përpiqem ta jetoj realitetin, e jo iluzionin që mund të ma gërryen shpirtin në vetminë e qelisë. Gjithmonë e ruaj vetëdijen e fillimit të ri, e assesi atë të fundësisë.
“Jam i vetëdijshëm, jeta nuk rikthehet. Por, shpirtin mund të ma merr veç ai që ma ka dhënë”
Ky është çmimi i përballjes së mëhershme me tiraninë. Unë sot jam i privuar përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht.
E sotmja dhe e nesërmja assesi nuk do t`i i kundërvihen të djeshmes sime.
Si i burgosur, njeriu është si peshku pa ujë, qelia është acar i jetës, e bën të veten. Burgu kjo jetë e re në botën e re jo të këndshme, e çuditshme dhe e huaj. Në këto rrethana izolimi, errësire dhe vetmie gjërat ngatërrohen me brishtësi e pasion. Ende po arrij të maksimalizoj shpresën dhe angazhimin dhe minimizoj tendencën e mërzisë dhe kotësisë.
Mund të tingëlloj naiv apo absurd, por kurrë ritmi i jetës sime nuk ka lëvizur më shpejt sesa periudha që kam kaluar këtu, por për fat të keq janë vite “qetësisht” dhe “butësisht” të humbura. Është kohë e humbur jetësore prej më të mirave dhe më efektive që mund ketë qenia njerëzore vite pa mision të zgjedhur nga ana ime. Jam i vetëdijshëm, jeta nuk rikthehet. Por, shpirtin mund të ma merr veç ai që ma ka dhënë.
Adriatik Kelmendi: Si e keni menaxhuar shëndetin tuaj mental dhe emocional gjatë këtyre viteve në Hagë, larg nga vendi?
Hashim Thaçi: Në burg cikli i ditëve është i vrullshëm, jeta e shpejt si vetëtima. Vend paradoksesh. Koha vjen dhe ikën pahetueshëm. Por ngjan që ndonjë ditë thuajse kurrë nuk përfundon.
Dita e sotme ngjan me të djeshmen dhe të nesërmen, apo siç e ka theksuar N. Mandela, në burg “Java i ngjan javës, muaji-muajit, viti-vitit”. Të njëjtit njerëz, ambient, atmosferë dhe protokoll.
Ndryshojnë vetëm dita nga nata, stinët dhe moti. Librat apo lajmet e ndryshme që lexon apo dëgjon.
Të djeshmen e kaluar këtu nuk e mendoj, nuk më duhet as e nesërmja. Është e përjetuar koha disi e zhvesh njeriun, por jam në paqe me ndërgjegjen time dhe në raport me të tjerët.
Këtu nganjëherë ndodhë mbivendosje kohe dhe gjërash, por ruaj një rend objektivash në mendjen time.
Duhet kuptuar, impulsi i brendshëm dhe jashtëm i të burgosurit çdoherë ka etje lirie. Disponimi në burg është ujë i paktë. Të mungon thithja e ajrit të lirisë.
Votimi për Gjykatën Speciale? “Kam sfiduar veten për interesa shtetërore… Procesi i themelimit të kësaj gjykate nuk ishte disponim apo vullnet individi, por përgjegjësi ose jopërgjegjësi shtetërore dhe kombëtare”
Adriatik Kelmendi: Nëse do të ktheheshit prapa dhe do të ishit në dijeni se do të akuzoheshit nga Gjykata Speciale, a do t’i kërkonit sërish Parlamentit të Kosovës themelimin e Gjykatës Speciale të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash nga SHBA-ja?
Hashim Thaçi: Dua ta depersonalizoj këtë çështje. Procesi i themelimit të kësaj gjykate nuk ishte disponim apo vullnet individi, por përgjegjësi ose jopërgjegjësi shtetërore dhe kombëtare përballë vetes tonë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ka dallim epokal të rrethanave ndërkombëtare të vitit 2015 dhe zhvillimeve botërore sot më 2025, duke përfshirë edhe qëndrimin e SHBA-ve, BE-së dhe OKB-së në raport edhe me Kosovën.
Kosova ishte përballë dy sfidave: të themelojë këtë gjykatë vet në koordinim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, ose Kosovës do t`i imponohej një gjykatë e njëjtë, por e themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me rol aktiv të Rusisë dhe Kinës, por që do të përkrahej edhe nga SHBA dhe BE.
Kosova bëri zgjedhjen e parë që ishte shumë sfiduese, por më e përgjegjshme. Me garancë nga partnerët amerikanë dhe evropianë se do të punohet me legjislacionin kosovar, pra jo vetëm të merret parasysh, por, nënvizoj, detyrimisht të respektohet.
Sikur të ndodhte e kundërta, Kosova do të akuzohej nga shumëkush se pse ju dha kjo mundësi Rusisë e Kinës. Gjithashtu një gjykatë e tillë do të ishte në kuadër të Rezolutës 1244, kjo do të shënonte kthim prapa për Kosovën. U përballëm me situatë: “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”. Pse u gjendëm në këtë gjendje, sot unë nuk mund të flas. Por, me asnjë çmim nuk do të mund të tolerohej që një vendim i tillë të sfidohej nga Parlamenti i Kosovës, e të vulosej nga Këshilli i Sigurimit institucion ndërkombëtar aktualisht i disfavorshëm për Kosovën.
Nga dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ne kemi kërkuar këmbëngulësisht largimin e UNMIK-ut, në veçanti nga koha e përmbylljes së suksesshme të procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë në vitin 2012.
Ju me të drejtë pyesni sikur të mund të kthenim kohën prapa, a do të vepronit në të njëjtën mënyrë? Të jem i kristal i qartë, në raportin e senatorit zviceran D. Marti përmendesha disa herë, si qindra të tjerë, edhe unë mund të futesha nën hetim. Por e kam ditur se nga raporti nuk do të akuzohej askush, sepse akuzat ishin të pabaza, siç edhe u vërtetua me vonë. Por me kalimin e kohës, gjërat morën drejtim dhe trajtim tjetër, ndodhi ajo që ndodhi.
Si shumë të tjerë, kam sfiduar veten për interesa shtetërore. Qëndroj vertikal përballë çdo lajthitje të kujtdoqoftë. Sikur të bëja gjënë e kundërt, sot do të akuzohesha po prej të njëjtëve njerëz, se pse nuk u themelua gjykata nga institucionet e Kosovës bashkë me perëndimoret. Nuk kam asnjë dilemë. (Ka edhe shumë gjëra tjera të cilat, nuk mund dhe nuk dua t’i komentoj).
Nëse ndokush e kupton realizimin e vullnetit të Popullit për Liri, Pavarësi, para pak vitesh edhe themelimin e Ushtrisë së Kosovës, njohja nga 119 shtete dhe integrimi në organizatat ndërkombëtare si dëgjueshmëri apo servilizëm timin në raport me SHBA-të dhe Perëndimin – ndihem shumë i nderuar
Adriatik Kelmendi: Kundërshtarët tuaj politikë ju kanë akuzuar nganjëherë si një lider që i ka pranuar gjithmonë kërkesat amerikane. Kryeministri Kurti shpesh ka marrë pozicion kundërshtimi ndaj kërkesave amerikane, mirëpo nuk po përballet me ndëshkim personal, megjithëse Kosova po paguan çmimin e sanksioneve nga Bashkimi Evropian. Si do ta komentonit këtë situatë?
Hashim Thaçi: Raporti im me SHBA-të dhe Perëndimin ka qenë reciprok dhe jo i njëanshëm. E gjithë bota e di se SHBA-të fillimisht kanë dëgjuar me respekt e më vonë edhe kanë përkrahur kërkesat e popullit të Kosovës për LIRI DHE PAVARËSI; këto çështje gjithmonë kanë qëndruar mbi çdo prioritet tjetër, rreth tri dekada të bashkëpunimit tim me SHBA.
Kërkesat e SHBA-ve drejtuara lidershipit dhe popullit kosovar kanë qenë në të mirë të vendit tonë – të sinqerta dhe parimore, që lidheshin me interesat e të dy vendeve, për rend kushtetues dhe ligjor, harmoni etnike, fetare dhe qytetare, prosperitet ekonomik, shoqëri multietnike dhe integrimi i tyre në shoqëri dhe institucione, forcimin e shoqërisë civile, media të lira, luftë kundër terrorizimit dhe radiklizmave tjerë. Nëse ndokush e kupton realizimin e vullnetit të Popullit për Liri, Pavarësi, para pak vitesh edhe themelimin e Ushtrisë së Kosovës, njohja nga 119 shtete dhe integrimi në organizatat ndërkombëtare si dëgjueshmëri apo servilizëm timin në raport me SHBA dhe Perëndimin – lëre që nuk ndihem i akuzuar por ndihem shumë i nderuar.
Nuk jam bukëshkalë!
Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, në rrethanat që jam nuk dua të bëhem pjesë e debateve të politikës ditore. Këto që them sot janë vetëm opinione të lira personale të një qytetari, me ekspertizë në politikën e brendshme dhe në rrafshin ndërkombëtar. Nuk jam akter e as nuk pretendoj të paraqesë faktorin.
“Ndihem i abuzuar nga ata që në emër të diçkaje fiktive pa të drejtë më shkëputën nga familja, me përjashtuan nga puna, m’i morën vitet më të bukura të jetës”
Adriatik Kelmendi: A ndjeheni të tradhëtuar apo të mashtruar nga Perëndimi, nga SHBA-ja?
Hashim Thaçi: Jo nuk ndihem as i tradhtuar, as i mashtruar. Ndihem i abuzuar nga ata që në emër të diçkaje fiktive pa të drejtë më shkëputën nga familja, me përjashtuan nga puna, m’i morën vitet më të bukura të jetës. Perëndimi dhe SHBA-të nuk servuan rrëfimin e lëndës. Kam punuar me disa administrata amerikane, efektivisht në raporte të shkëlqyera. Nga Presidentet Klinton mandati i dytë 1996-20, Bush i Riu 2000-2008, Obama dhe Biden 2008-2016, Trump 2016-2020, në ngjarje dhe kohë të ndryshme në SHBA kam folur për Kosovën edhe me Presidentin Bush i Vjetër dhe XH. Karter.
Kam punuar me shtatë presidentë të SHBA-ve, pesë prej tyre në detyrë dhe me tetë sekretarë shteti, duke filluar nga M. Olbrajt deri tek M. Rubio, më herët si senator. Me secilin prej tyre kam eksperiencë të veçantë. Ata iu përkasin taborreve politike të ndryshme, por për Kosovën kishin të njëjtin qëndrim. Një pozicion i tillë bipartizan nuk ndodh shpesh në DC.
Kjo ka ndodhur në dekadat e fundit vetëm me Izraelin dhe Kosovën. Se si do të jetë mëtutje – varet nga Kosova.
“Pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë”
Sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe vendet tjera perëndimore – kam qenë interlokutori prej kryesorëve. Bashkëpunimin e vlerësoj cilësor. Kemi pasur edhe gjëra qe nuk jemi pajtuar, për çka jam deklaruar edhe publikisht. Jam i sigurt SHBA dhe Perëndimi e duan Kosovën më të përparuar. Asnjë intervenim ndërkombëtar nuk është treguar me i suksesshëm sesa në Kosovë. Është fakt i pamohueshëm, ishte punë e përbashkët e SHBA-ve, NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Por, pa rolin lider të SHBA-së Kosova mund të ishte ende provincë e Serbisë.
“Po, kam bërë plot gabime, por nuk kam gënjyer dhe mashtruar”
Adriatik Kelmendi: Nëse kthehemi në retrospektivë, a ka ndonjë vendim politik apo personal që do ta merrnit ndryshe, nga pozicioni ku jeni sot?
Hashim Thaçi: Janë dekada të angazhimit politik. Nga distanca kohore është lehtë të flasësh për këtë fenomen që përcjell çdo lider. Në rrugëtimin e zbatimit të vizionit për liri e shtetbërje në parim dhe strategji nuk do të ndryshoja diçka me peshë, në planin taktik, periudhat kohore të vendimeve dhe akterët – do të ndryshoja në raste të caktuara. Kam reflektuar për qëndrime të cilat sot nuk do t`i merrja, por gjithmonë duhet marrë parasysh kohën dhe rrethanat. Nuk kam bërë dy herë të njëjtin gabim. Kam mësuar dhe jam përmirësuar prej gabimeve. Gabimi është njerëzor, nuk paraqet faj.
Kam identifikuar raste që nuk do duhej të isha pjesë e debateve joproduktive dhe të zhurmshme. E di se opinionet apo vendimet e mia jo rrallë kanë ngjallur debat PËR dhe KUNDËR, iu kanë munguar abstenimet, por e tillë është politika. Unë flisja atë që e mendoja dhe besoja, ndoshta nganjëherë para kohës së duhur e ndonjëherë pas, në raste të caktuara edhe nuk jam kuptuar drejt, apo ndonjë projekt e kam prezantuar në rrugën jo më të qëlluar. Por kjo ju ndodh gjithë liderëve.
Po, kam bërë plot gabime, por nuk kam gënjyer dhe mashtruar. Nuk kam synuar të bëjë idealin, besoj kam bërë realistin. Kam ecur paralel me parimoren dhe pragmatiken, jam munduar të tregohem sa më pak egocentrik.
Dua të nënvizoj: precizitet kohor dhe ndërlidhje faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, në favor të shqiptarëve ka ndodhur vetëm në vitin 1998-99 dhe 2008.
Përderisa isha figurë publike, më shumë do të indinjohesha sikur të injorohesha; përderisa ngjall debat, idetë janë me peshë, vlerë dhe shëndet për demokracinë.
“Për mua ka qenë me rëndësi bërja e shtetit…” Debatet për cështjet estetike apo te dizajnit më bëjnë të qesh…
Rivalitetin politik gjithmonë e kam çmuar, ishte kënaqësi kur punoja me rivalët për çështje të përbashkëta nacionale. Kosova në këtë drejtim për kohë të gjatë ka qenë shembull për rajon dhe më gjerë.
Opinionet se a duhej shpallur Pavarësia me 17 shkurt, apo në ndonjë datë tjetër? A duhej që deklarata e Pavarësisë ta kishte këtë përmbajtje, apo tjetër? A duhej të kishte flamuri shtetëror këtë pamje, apo tjetër? Ta kemi këtë himn shtetëror, apo tjetër? A duhet përfaqësueset tona sportive të bartin fanellat me këtë, apo atë pamje?
Këta zëra me frekuenca të shkurtra dhe të gjata do të vazhdojnë edhe kohë. Më bëjnë të qesh, por i pëlqej. Ky debat për çështje estetike apo dizajni, është atraktiv, por më tepër janë shfaqje egosh… por nuk do të bëhem pjesë.
Kosova vetëm në drejtimin që ka ecur është pranuar dhe njohur nga bota, në të kundërtën do të kishim shumë pikëpyetje për të djeshmen, e më shumë për të sotmen dhe nesërmen tonë. Pa u futur në ujë, nuk mësohet noti.
Për mua ka qenë me rëndësi bërja e shtetit. Por kjo më nxit të krahasoj opinionet e shfaqura tash e mbi 100 vite, se a duhej Pavarësia e Shqipërisë të shpallet me 28, apo 26 nëntor? Pse nuk u shpall në Shkodër, Durrës, por u zgjodh qyteti i Vlorës? A e qëndisi flamurin kombëtar Marigona, apo e nxori nga sënduku ndonjë çifligar? Pse u shpall pavarësia para se të mbërrinte Isa Boletini me luftëtaret e tij nga Kosova, apo a është gjunjëzuar ai para flamurit, e ka puthur apo s’e ka puthur flamurin? Pse pavarësinë e shpalli Ismail Qemali e jo X, Y, ose shkojnë edhe më larg duke akuzuar themeluesit e shtetit se pse mbeten dy të tretat e tokave shqiptare jashtë hartës zyrtare të Shqipërisë londineze etj, etj.
Nuk është çudi, që aty këtu dëgjojmë apo lexojmë edhe ligjërime, “Sikur të mos ndodhnin kryengritjet e Skënderbeut, shqiptarët do të kalonin më lehtë… historinë e dekadave dhe shekujve vijues”, sa çel e mbyll sytë injorohet nga injoranca apo dashakeqësia e vërteta monumentale se Epoka e Skënderbeut e vulosi identitetin evropian shqiptar, që veç tash pas pesë shek. mezi po e zyrtarizojmë me letra si shtete.
Jam i vetëdijshëm ky nuk është debati im, as koha dhe as vendi për të folur.