Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.
Në “Përballje Podcast”, ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.
Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.
“Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.
“Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa shkruan Telegrafi.
Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.
