Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk identifikuan një figurë unifikuese për kandidat për president të vendit, duke bërë që shteti të organizojë zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë.
Një zëdhënës i BE-së ka deklaruar se blloku evropian vazhdimisht u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional.
“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi për Rel.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin një president të ri të vendit brenda afatit kushtetues dhe, në bazë të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill.
Tani, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pas takimitme partitë politike – që do të mbahet sot – do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Janë vetëm dy data kur mund të mbahen zgjedhjet: 31 maj dhe 7 qershor.
Natën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet tërhoqi dy kandidaturat partiake, përkatësisht emrin e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, dhe më pak se një orë më vonë prezantoi dy kandidate për presidente, që të dyja aktiviste për të drejtat e njeriut: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Por, partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën plenare që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe përfundoi mesnatën e 28 prillit – kur ishte edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

