Bashkimi Evropian tha se nuk komenton njoftimet apo planet, kur u pyet lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, por një zëdhënës i bllokut tha se Brukseli do të vazhdojë mbështetjen për gjykatën me seli në Hagë.Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, përsëriti qëndrimin e bllokut evropian për mbështetjen për gjykatën dhe shtoi se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen si Gjykata Speciale – janë institucione të pavarura të drejtësisë që janë formuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015.
“Puna e tyre është e rëndësishme për të siguruar llogaridhënie, për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Dhe, siç kam theksuar edhe më parë këtu, personat e dënuar me aktgjykimin e shkallës së parë, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë. Aktgjykimi do të shqyrtohet nga gjyqtarë të pavarur të apelit, në një panel të veçantë të apelit të Dhomave të Specializuara. Por, mbështetja jonë për Dhomat është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, tha ai.Gjykata Speciale financohet nga Bashkimi Evropian, por edhe nga shtetet e treta kontribuuese, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.
Një ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi në Kuvendin e Kosovës një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.PDK-ja tha se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më 16 shtator, ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte. Të katërt, marrë së bashku, janë dënuar me 81 vjet burgim.PDK-ja ka thënë se ndryshimet e propozuara në ligj nuk nënkuptojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale në Hagë.




