Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me rrënimin e disa vilave pranë liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës, duke vlerësuar se në këtë rast nuk është respektuar procedura e rregullt ligjore.
Në një reagim të publikuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, është thënë se banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit të përcaktuar nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc” për lirimin dhe pastrimin e tokës.
“BE-ja në Kosovë shpreh keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc/Ibar-Lepenac për lirimin dhe pastrimin e tokës”, thuhet në reagimin e BE-së.
Sipas BE-së, mungesa e respektimit të procedurave ligjore është vërejtur edhe në raste të tjera në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit.
“BE-ja është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti”, thuhet më tej në reagim.
