Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd tha për Radion Evropa e Lirë se arritja e marrëveshjes politike mes subjekteve politike shqiptare në Serbi është “një hap i mirë politik”, pasi ata do të sigurojnë numrin maksimal të votave.
Ai vlerëson se në arritjen e marrëveshjes ka kontribuar, me shumë gjasë, “autoriteti” i kryeministrit të Kosovës, Kurti.
Janjiq thekson gjithashtu se, nëse pas zgjedhjeve të tetorit rezultati mes listës “Serbia e Bashkuar” të Aleksandar Vuçiqit dhe listës studentore “Studentët fitojnë” është i ngushtë, pakica shqiptare ka siguruar fuqi më të madhe në vendimmarrjen se kë do ta mbështesë.
Sipas vlerësimit të tij, “barrën më të madhe” të kësaj marrëveshjeje e kanë bartur partitë që deri më tani kanë bashkëpunuar me autoritetet në Serbi.
Nga ana tjetër, Janjiq konsideron se shqiptarët në Serbi nuk mund të kenë vende të rezervuara në Kuvend, siç kërkon kryeministri i Kosovës, Kurti, duke u bazuar në vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb.
Ai kujton se shqiptarët në Serbi kanë Këshillin Kombëtar.


