Samiti BE-Ballkani Perëndimor ka miratuar Deklaratën e përbashkët nga shumica e partnerëve të rajonit, duke rikonfirmuar angazhimin për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratë theksohet se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një mundësi reale dhe strategjike për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në rajon.
Udhëheqësit e BE-së dhe të partnerëve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për nevojën e intensifikimit të reformave, mbështetjen e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, lirisë së shprehjes, barazisë gjinore dhe rolin e shoqërisë civile.
Deklarata gjithashtu thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve, duke përmendur veçanërisht dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjet përkatëse.
BE-ja përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën dhe kërkon harmonizimin e politikave të jashtme dhe të sigurisë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Në fushën ekonomike, u mirëprit përparimi në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm të BE-së, përfshirë iniciativat dixhitale, SEPA dhe uljen e kostove të roaming-ut. Plani i Rritjes pritet të ofrojë deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime në rajon.
