Komandanti i misionit të NATO’s në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, bëri raportimin përfundimtar para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe para Këshillit të Atlantikut të Veriut, të dyja në formatin e KFOR-it, në selinë e NATO-s, në Bruksel.
KFOR tha se gjatë fjalimit të tij, Barduani ndau vlerësimin e tij mbi situatën e sigurisë në Kosovë, duke theksuar “angazhimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm të KFOR-it për stabilitet dhe në mbështetje të veprimeve diplomatike, me fokus të veçantë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”.
“Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike”, deklaroi komandanti i KFOR-it.
“Gjeneral Barduani theksoi gjithashtu – midis arritjeve të KFOR-it – forcimin e misionit, edhe përmes vendosjes së përkohshme të forcave rezervë dhe bashkëpunimin e thelluar me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe”.
