Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar lidhur me situatën e fundit në vend, siç thuhet, të krijuar si pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv.
Siç thuhet në një komunikatë për media të Gjykatës Supreme, Rexhepi ka theksuar vendosmërinë e Gjykatës që drejton dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, për të vazhduar punën, “pavarësisht sulmeve e tendencave nga Qeveria në detyrë për të dëmtuar imazhin e gjyqësorit dhe për të penguar funksionimin e pavarur të saj”, duke shtuar se “institucionet shtetërore janë të obliguara të zbatojnë vendimet gjyqësore, si kusht për funksionimin e shtetit ligjor”.
Ndërkaq shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, sipas komunikatës, duke dënuar sulmet e fundit, potencoi se e mbështesin fuqishëm Gjykatën Supreme derisa “sulmet e Qeverisë në detyrë i cilësoi të papranueshme”.
Sipas tij, “etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm”.