Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë obligim kushtetues që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se formimi i institucioneve nuk duhet të bllokohet nga kalkulimet politike.
Baraliu në një interviste për Ekonomia Online, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht nëse kjo arrihet përmes një marrëveshjeje politike apo përmes respektimit të detyrimeve kushtetuese nga deputetët.
“Është e domosdoshme, obligative dhe imperative siç e thashë. Që të vetëdijesohet kjo klasë politike sidomos fituesi i zgjedhjeve, po hiq më pak as këta të tjerët të opozitës, që të bëhen bashkë edhe t’i bëjnë institucionet. Sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë nuk ka problem, shumica e fituesit sepse i ka numrat. Ndërkaq për presidentin domosdoshmërisht do të duhet të bëhen bashkë. A bëhen me ndonjë marrëveshje për qeverisje të përbashkët? Apo ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual? Apo varianti i tretë që është po ashtu edhe obligimi i çdo deputeti nga kushtetuta që t’i formojë institucionet, që edhe partive politike obligimi i tyre pra që ta votojnë, të shkojnë të marrin pjesë në zgjedhje kur caktohet, në seancë kur caktohet zgjedhja e presidentit apo presidentes dhe ta votojnë, të jenë të pranishëm, të votojnë për, kundër ose abstenim. Mirëpo ta mundësojnë formimin e institucionit në këtë rast, institucionit të presidentit”, tha ai.
Sipas tij, vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese e kanë bërë të qartë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancat ku zgjidhen institucionet dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.
