Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur sot një konferencë për media, ku profesorë të njohur vendorë kanë ngritur shqetësime serioze për, siç thanë ata, shkeljet e shumta që po ndodhin në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, prezantoi një studim të titulluar “30 shkeljet e Gjykatës Speciale”, ku akuzoi këtë institucion për tendencë të hapur për shtrembërim të historisë moderne të Kosovës dhe për mohimin e gjenocidit serb gjatë luftës së fundit.
“Gjykata Speciale është një proces i montuar që synon të keqinterpretojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Ajo është derivat i raportit të rremë të Dick Martyt, i cili sot e kësaj dite është dëshmuar si i pabesueshëm”, tha Bajrami.
Ai shtoi se do të mbahet edhe një konferencë ndërkombëtare për të analizuar më në thellësi punën e Gjykatës. Sipas tij, kjo gjykatë ka refuzuar bashkëpunimin me autoritetet kosovare dhe ka pranuar bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Serbisë.
“E kam vizituar këtë gjykatë disa herë dhe kushtet për të paraburgosurit janë të rënda. Në krahasim me Sllobodan Millosheviqin, të cilit iu dhanë kushte pune dhe trajtim si president, ish-presidenti ynë trajtohet si qytetar i rëndomtë. Kjo është fyese”, theksoi Bajrami.
Profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu, theksoi se akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkaktojnë pasoja të mëdha për vendin, duke insistuar se UÇK-ja nuk ka kryer krime ndaj civilëve serbë gjatë luftës.