Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka deklaruar se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është alarmante, pasi siç ka thënë ai, me pagën mesatare prej 350 deri 370 euro nuk mund të mbulohen as nevojat bazë të një personi, e aq më pak të një familjeje.
Ai theksoi se sipas normave ndërkombëtare, paga e një punëtori duhet të mbuloj nevojat e katër anëtarëve të familjes, gjë që siç ka thënë ai, në Kosovë nuk ndodh.
Azemi paralajmëroi se shumë punëtorë po detyrohen të përballen me kosto të papërballueshme, sidomos me fillimin e vitit shkollor dhe ardhjen e dimrit.
“Kemi dy kategori të punëtorëve të sektorit privat, punëtor që punojnë direkt në menaxhimin e pronarit të kompanisë private që e kemi një gjendje paksa sa ma stabile. Përderisa gjendje më të rëndë e kemi te ato kompani që kryejnë shërbimet për institucionet publike dhe institucionet e kuvendeve komunale. Këtu kemi një gjendje jashtëzakonisht të rëndë sepse nëse e marrim një pagë mesatare tek kompanitë publiko-private që i quajmë ne, paga e tyre është diku rreth 350 deri 370 euro”.
“Me një kosto të tillë, me këto shpenzime tani më fillon sezoni i dimrit, ka filluar edhe sezoni i mësimit, paramendo se çfarë mund të bësh me një pagë prej 370 euro, ku sipas normave ndërkombëtare, një pagë e një punëtori duhet t’i mbuloj kërkesat e katër anëtarëve të familjes, e cila me këtë pagë që po e marrin nuk mund të mbuloj kërkesat e as një personi. Ne e dimë se si po jetojmë, ne po e dimë se si po shkojmë tutje”, tha Azemi.
Ai shtoi se në Kosovë ende ka punëtorë që paguhen nën pagën minimale, ndonëse ajo ka hyrë në fuqi.
“Kemi punëtor edhe sot që në Kosovë paguhet me një pagë prej 250 euro, e normal që kemi institucione publike në Universitetin e Prishtinës dhe në shumë vende të tjera ku paga minimale nuk po respektohet dhe kjo nuk po respektohet pavarësisht që qeveria vitin e kaluar në tetor ka hyrë në fuqi paga minimale prej 350 euro edhe kjo nuk është duke u realizuar”, tha ai.
