Avokati i Popullit i Serbisë, Zoran Pashaliq, u ka kërkuar autoriteteve gjyqësore t’i zbardhin menjëherë të gjitha rrethanat lidhur me vendosjen e posterëve me përmbajtje urrejtjeje kundër pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në Krushevc, si dhe t’i gjejnë dhe t’i sjellin para drejtësisë përgjegjësit.
Në një deklaratë, Pashaliq u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
Ai theksoi se organet shtetërore janë të detyruara t’i mbrojnë në mënyrë të barabartë të drejtat e të gjitha pakicave kombëtare dhe të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo forme të diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së urrejtjes kombëtare ose etnike.
Thirrja e tij vjen pasi para një furre buke në pronësi të shqiptarëve në Krushevc u shfaqën mesazhe urrejtjeje me thirrje drejtuar qytetarëve që ta “kujtojnë Gazimestanin” dhe të mos blejnë nga shqiptarët.
Avokati i Popullit paralajmëroi se veprime të tilla, si vendosja e këtyre posterëve, përbëjnë shprehje të papranueshme të mosdurimit dhe diskriminimit. Posterët, sipas tij, e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe e dëmtojnë besimin ndërmjet komuniteteve.
“Përhapja e urrejtjes dhe mosdurimit ndaj çdo komuniteti kombëtar nuk ka vend në një shoqëri demokratike të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, barazisë dhe sundimit të ligjit. Çdo qytetar i Serbisë ka të drejtë të jetojë pa frikë nga diskriminimi, frikësimi dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht përkatësisë së tij kombëtare”, deklaroi Pashaliq.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve, mediave dhe zyrtarëve publikë që me veprimet e tyre të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie ku respektohen dallimet dhe ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, e jo përmes gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për diskriminim.
Më herët, subjekti opozitar në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), kërkoi nga policia dhe prokuroria që pa vonesë të përcaktojnë se kush qëndron pas përgatitjes dhe ngjitjes së posterëve në Krushevc, qytet në Serbinë qendrore.
