Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka folur për diskutimet që po ndodhin rreth zgjedhjes së presidentit të ri, pozicionit të LDK-së dhe qëndrimin e tij për këtë temë.
Hoti i pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, ka thënë se është e qartë se shef i ri i shtetit s’duhet të jetë dikush që noterizon qëllimet e një subjekti politik”
“Një gjë është e qartë: Presidenti duhet të jetë person unifikues, person me integritet, që përfaqëson të gjithë, e jo person që noterizon qëllimet e një subjekti politik”, ka thënë Hoti.
Ai ka sqaruar se LDK ka dhënë opsionet e saj për atë se si duhet zgjidhur çështja e presidentit, një kandidat jo-partiak konsensual nga të gjithë ose një marrëveshje LDK-LVV.
“LDK-ja ka paraqitur alternativat e mundshme: një kandidat jo-partiak konsensual për të gjitha partitë, ose një kandidat që propozohet nga LDK-së bazuar në një marrëveshje politike mes LDK-së dhe mazhorancës”, ka thënë Hoti.
Për negociatat që po bëhen, ish-kryeministri thotë se përgjegjësia kryesore për suksesin ose dështimit të tyre është tek Lëvizja Vetëvendosje, që sipas Hotit, duhet të marrë parasysh kërkesat e partive opozitare për të shkuar drejt zgjidhjes.
