Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se pas njoftimeve të publikuara në sistemin ADIS dhe WAHIS për konfirmim të shpërthimit të sëmundjes Gjuha e Kaltër – BT dhe Murtaja Afrikane e derrit – ASF në shtetin e Serbisë, me qellim parandalimi të përhapjes se sëmundjeve në vendin tonë ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhe, dele, dhi dhe derra (produkteve të derrit) nga i gjithë territori i Republikës së Serbisë.
Në njoftim thuhet se autoritetet Kufitare që funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV, duhet të ngrisin masat e nivelit të kontrollit në të gjitha pikat kufitare.
“Kjo për të mos lejuar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla gjedhe, dele, derra dhe produkteve të derrit nga ky shtet. Vigjilencë e shtuar e kontrollit do të ushtrohet edhe në bagazhet personale të pasagjerëve, për të ndaluar hyrjen e çfarëdo lloji të produktit të derrit, qe hynë ne kategorinë e produkteve bartëse të sëmundjes se Murtajës Afrikane të Derrit. Derisa vendimi është në fuqi qytetarët e kanë të ndaluar kalimin kufitar me çfarëdolloj produkti të derrit që ka origjinë nga Serbia, qoftë edhe si ushqime gjatë udhëtimit”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se të gjithë janë të obliguar të ndihmojnë dhe veprojnë për parandalim të përhapjes se sëmundjeve.