Vuk Vulleviq, shtetas i Malit të Zi, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim i kuq nga IINTERPOL-i, u arrestua më 12 korrik në një lokal në Beograd, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB).
“Gjatë arrestimit, atij iu gjetën dokumente personale të falsifikuara, të lëshuara në Kosovë. Me urdhër të prokurorisë kompetente, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal nën dyshimet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftimin që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë .
MPB-ja serbe tha se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, në Podgoricë, për veprat penale të organizimit të grupit kriminal dhe prodhimit, posedimit dhe trafikimit të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas njoftimit, ndaj tij ishte lëshuar edhe një fletarrestim nga Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti i Posaçëm për Krim të Organizuar, lidhur me veprat penale për të cilat ai kërkohet nga drejtësia malazeze.
Policia bëri të ditur se gjatë arrestimit i konfiskoi dy telefona celularë dhe e njoftoi Prokurorinë e Tretë Themelore në Beograd.
Po ashtu, u tha se Vulleviqi do të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd.
Policia malazeze e kërkon Vulleviqin nën dyshimet se është pjesë e grupit të organizuar kriminal të Vaso Ulliqit dhe Radoje Zvicerit.
