Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt në Pejë, që tronditi opinionin publik, dyshohet se është përdorur si referencë për një kërcënim me vdekje ndaj një gruaje tjetër.
Një banore e fshatit Kotradiq ka denoncuar bashkëshortin e saj, i cili, sipas deklarimit të saj, gjatë një mosmarrëveshjeje i është referuar vrasjes së Arlindës, duke i thënë se për të do të ishte edhe më e lehtë ta vriste, pasi ishte burri i saj.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është denoncuar më 31 tetor në Stacionin Policor në Pejë, ndërsa kërcënimi dyshohet se ka ndodhur një ditë më parë, më 30 tetor, në fshatin Kotradiq.
Sipas informacioneve, viktima A.P. 39 vjeçare ka deklaruar se ishte duke u kthyer nga dentisti së bashku me bashkëshortin, Sh.Gj. 47 vjeçar, kur mes tyre kishte nisur një zënkë me fjalë.
Pikërisht gjatë kësaj zënke, sipas denoncimit të saj, bashkëshorti i është drejtuar me fjalët:
“Arlindën e ka vrarë kunati, e unë e kam lehtë se jam burri yt dhe të vras”.
Këto janë fjalët që gruaja pretendon se i ka dëgjuar nga bashkëshorti, duke e lidhur kështu kërcënimin ndaj saj me krimin që pak ditë më parë kishte tronditur Pejën.
Por, sipas deklarimit të saj, problemet në martesë nuk kishin filluar me këtë incident.
