Kryeministri Edi Rama ia ka besuar këshillimin për çështjet e media një zonjë e cila në profilin e saj në Linkedin e përshkruan veten si “stratege" për çështjet e medias.
Vlera Gjakova, ka qenë aktive në të shkuarën për komentet e zhvillimeve politike si në Kosovë dhe në Shqipëri.
Ajo ka lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka shpenzuar një kohë të gjatë në Kosovë, ku 8 vite më parë iu bashkua “Vetëvendosjes” së Albin Kurtit dhe në zgjedhjet e 2019 ishte kandidate për deputete nën siglën e kësaj force politike, fakt i publikuar prej saj në rrjetet sociale.
Vlera Gjakova e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë dy javë më parë. Tch shkruan se ka parë një e-mail dërguar nga Vilma Guri, sekretare e përgjithshme në kryeministri, dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, ku njoftohen për rolin e zonjës Gjakova.
Vilma Guri përmes këtij e-mail kërkon zhvillimin e takimeve nga këshilltarët e medias të çdo ministrie me Vlerë Gjakovën për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.
Vlera Gjakova, ish-anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kandidate për deputete në zgjedhjet e vitit 2019, ka bërë kritika të forta ndaj Albin Kurtit, duke e akuzuar se kriza e zgjatur politike në Kosovë nuk ishte thjesht rezultat i dështimit politik, por mund të ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme për konsolidimin e pushtetit.
Deklaratat e saj u bënë publike më 25 nëntor 2025, pasi një mesazh që ajo i kishte dërguar gazetarit Arian Çani u lexua në emisionin «Zonë e Lirë» në MCN TV.
Në profilin e saj në Linkedin, zonja Gjakova e përshkruan veten e saj si stratege në fushën e komunikimit, eksperte për energjinë e rinovueshme dhe publiciste me një eksperiencë 18-vjeçare për strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun.




