Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gar ka thënë se qasja në arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave mbetet një nga kërkesat më të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, Gara ka deklaruar se sfida kryesore vazhdon të jetë mungesa e informacionit të besueshëm dhe mos-hapja e dokumenteve të klasifikuara nga pala serbe.
“Sfida më e madhe mbetet mungesa e informatave të besueshme dhe një nga rastet e adresuara me shumë prioritet pashmangshëm mbetet qasja ose kërkesa për qasje të plotë në arkivin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave”, tha ai.
Ai theksoi se kjo brigadë ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarjet e luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës, duke u ndërlidhur me një sërë masakrash dhe viktimash civile.
Sipas tij, strukturat e ushtrisë jugosllave në vitin 1999 ishin të organizuara në disa armatë dhe korpuse, ndërsa Brigada e 37-të e Motorizuar bënte pjesë në Korpusin e Prishtinës dhe kishte një rol operacional në terren gjatë luftës.
Gjatë kohës së luftës, pra gjatë vitit 1999, ish-Ushtria Jugosllave kishte forcat tokësore të ndara në tri armata… në kuadër të Armatës së Tretë ishte Korpusi i Prishtinës dhe Korpusi i Nishit. Brigada e 37-të e Motorizuar ishte pjesë e Korpusit të Prishtinës dhe gjatë luftës u vendos në regjionin e Drenicës”, tha Gara.
Ai shtoi se sipas dokumenteve dhe dosjeve gjyqësore ndërkombëtare, kjo brigadë lidhet me një numër të madh krimesh lufte, përfshirë masakrat në Rezallë, Qikatovë të Vjetër dhe Zabel të Ulët.Në shumë dokumente zyrtare, përfshirë dosjet gjyqësore nga Tribunali i Hagës dhe dokumentet e Fondit për të Drejtën Humanitare, kjo brigadë përmendet në lidhje me qindra raste të viktimave civile, të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur”, u shpreh ai.
