Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e mbrojtjes së ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ish-ministrit Bajram Hasani, dhe Bashkim Krasniqit e Malë Krasniqit, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kështu i liroi nga akuza për korrupsion katër të akuzuarit.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 korrik 2024 ish-kryetarin Begaj dhe ish-ministrin Hasani i kishte dënuar me nga 2 vite e 6 muaj burgim, kurse Bashkim e Malë Krasniqin i ka dënuar me nga 2 vite burgim, lidhur me akuzën për keqpërdorime rreth Zonës Ekonomike të Malishevës. Kurse, Hajdin Berisha, Faton Thaqi, Ahmet Rrahmanaj dhe Nazimi Kafexholli, ishin liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi
“Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktgjykimin APS.nr.12/2025, të datës 08.07.2025, ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Ragip Begaj, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi dhe, sipas detyrës zyrtare, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.29/2021 të datës 11.07.2024, në pjesën dënuese, ashtu që të njëjtit i ka liruar nga akuza, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Apeli bën të ditur se me rastin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe sipas detyrës zyrtare, e ka ndryshuar aktgjykimin edhe në pjesën që ka të bëjë me tani të ndjerin Hajdin Berisha, duke e pushuar procedurën penale ndaj tij për shkak të vdekjes.
Ndërsa, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe e ka vërtetuar aktgjykimin në pjesën liruese në raport me të akuzuarit Faton Thaqi, Malë Krasniqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj, kurse pjesa e ankesës në raport me tani të ndjerin Hajdin Berisha ka mbetur pa objekt.
“Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, pretendimeve ankimore dhe provave të administruara, ka gjetur se gjendja faktike në raport me Ragip Begaj, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi ishte vërtetuar gabimisht dhe se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ishin shpallur fajtorë. Sa i përket ankesës së Prokurorisë Speciale kundër pjesës liruese, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore janë të pabazuara, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se Faton Thaqi, Malë Krasniqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj kanë kryer veprat penale për të cilat ishin akuzuar”, njofton tutje Apeli.


