Gjykata e Apelit ia ka lënë në fuqi aktakuzën ish-ministres Rozeta Hajdari për aferën e rezervave shtetërore, ndërsa sot, në orën 09:30, vazhdon procesi gjyqësor ndaj saj.
Hajdari dhe tre të akuzuarit e tjerë do të përballen me aktakuzën të ngritur nga Prokuroria Speciale për keqpërdorime që dyshohet se i kushtuan shtetit afro tre milionë euro.
Bëhet fjalë për një nga rastet më të përfolura të dyshimeve për keqpërdorime gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, që tashmë ka kaluar pengesat procedurale të aktakuzës.
Si nisi gjithçka?
Më 13 nëntor, Gjykata e Apelit refuzoi ankesat e mbrojtjes, duke lënë në fuqi aktakuzën e PSRK-së.
Ky vendim ia hapi rrugën vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor, ku Prokuroria do të duhet t’i provojë akuzat e ngritura.
Sipas aktvendimit që ka lexuar Nacionale, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se veprimet e të akuzuarve i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm financiar prej afro tre milionë eurosh.
“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Rozeta Hajdari, av. Florent Latifaj, Irfan Lipovica, av. Feim Alaj, Hafiz Gara, av. Nazim Mehmeti, dhe Ridvan Muharremi, av. Mahmut Halimi”, thuhet në aktvendim.
Vendimi i Apelit nuk e përcakton fajësinë e të akuzuarve, por se çështja ka bazë të mjaftueshme për t’u gjykuar.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën më 11 nëntor 2025, pas hetimeve lidhur me blerjen e rezervave shtetërore gjatë vitit 2022.
Sipas Prokurorisë, veprimet e të akuzuarve dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 2 milionë e 912 mijë eurosh.
Dyshimet lidhen me kontratat për blerjen e grurit nga një kompani turke, si dhe të vajit dhe sheqerit nga një kompani polake, në kuadër të furnizimit të rezervave shtetërore.
