Në Prishtinë janë përkujtuar miliona viktima të Aushvicit në 81-vjetorin e Holokaustit ndaj hebrenjve.
Në një ceremoni komemorative në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, tha se anti semitizmi vazhdon të jetë prezent ende në botë dhe ka shtrirje te populli hebrenj, për çka shtoi se çdo ditë raportohen sulme fizike dhe gjuhë e urrejtjes.
“Holokausti ishte mohimi përfundimtar i të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Ai buronte nga një ideologji antisemitike që ua hoqi njerëzve të drejtat, i çnjerëzoi ata dhe shpalli se disa raca janë johumane dhe për këtë arsye të rrezikshme për shoqërinë dhe duhet të eliminohen. Antisemitizmi, urrejtja ndaj hebrenjve, nuk përfundoi me Holokaustin 81 vjet më parë. Ai është shndërruar në retorikë të mohimit të Holokaustit, në sulme fizike kundër hebrenjve dhe komuniteteve hebreje në mbarë botën, si dhe në thirrje për shkatërrimin e Shtetit të Izraelit”, u shpreh ambasadorja izraelite.
Ajo përmendi edhe statistika të incidenteve antisemitike.
“Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2023, pas sulmit të 7 tetorit, u dokumentuan mbi 1,700 incidente antisemitike. Në vitin 2024, ky numër u dyfishua në më shumë se 6,300 incidente, dhe viti 2025 shënoi një rritje të mëtejshme. Që nga 7 tetori, mbi 13,000 incidente antisemitike kanë ndodhur në mbarë botën, përfshirë sulme vdekjeprurëse në Mbretërinë e Bashkuar, ShBA, Evropë dhe Australi, në të cilat më shumë se 20 hebrenj u vranë vetëm sepse ishin hebrenj”.
