Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund ka bërë thirrje për unitet dhe kompromis mes partive politike në Kosovë, duke vlerësuar se zvarritja e procesit të formimit të institucioneve po ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Westerlund tha se vështirësitë në krijimin e qeverive nuk janë vetëm fenomen në Kosovë, por po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe në vende të tjera evropiane.
“Fatkeqësisht, ky është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në mbarë botën po bëhet më i vështirë formimi i koalicioneve qeverisëse dhe krijimi i qeverive. Por Kosova, si një shtet i ri, është shumë më e ndjeshme ndaj këtyre sfidave sesa shtetet e tjera. Mendoj se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të përpiqen të gjejnë një lloj uniteti kombëtar dhe më pas të formojnë një qeveri. Nuk do të veçoj ndonjë aktor të caktuar si fajtor. Besoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe të krijojnë një frymë uniteti kombëtar”, tha Westerlund.
Ambasadori suedez tha se pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe fillimin e konsultimeve për krijimin e qeverisë, duke u bërë thirrje partive politike që të tregojnë gatishmëri për kompromis.
“Po, sigurisht. Ende po presim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe e kuptoj që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të fillojë konsultimet sapo të kemi rezultatet përfundimtare. Unë mund t’u bëj thirrje të gjitha partive politike të bëjnë kompromise. Në pjesën e Evropës prej nga vij unë, kompromisi nuk shihet si dobësi, por si forcë. Kjo situatë po vazhdon prej shumë kohësh dhe mendoj se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkohen dhe të krijojnë një lloj uniteti kombëtar. Siç thashë, kjo po ndodh edhe në vende të tjera evropiane dhe në vende të tjera të botës, por Kosova është më e cenueshme se shumë vende të tjera. Kjo po pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe, si pasojë, do të ketë më pak mundësi punësimi. Prandaj është e rëndësishme të ecet përpara. Kosova ka një nga kushtetutat më moderne në botë. Pra, kushtetuta nuk është domosdoshmërisht sfida; më tepër sfidë është zbatimi i saj. Megjithatë, ndoshta duhet të ketë një diskutim se si partitë politike mund të bashkëpunojnë në të ardhmen dhe të shqyrtojnë kushtetutën, për të arritur një marrëveshje se si qeveritë mund të formohen më lehtë në të ardhmen.”, tha Westerlund për Ekonomia Online.
