Sipas Kusari-Lila, kandidati është profesionist me mbi 30 vjet përvojë ndërkombëtare në bujqësi, pylltari, teknologji dhe shëndetësi publike, me kontribut të njohur në menaxhimin e emergjencave dhe zhvillimin e kapaciteteve lokale dhe ndërkombëtare.
“Kam kënaqësinë që në emër të subjektit që drejtoj të prezantojmë kandidaturën e Mërkurë Beqiri, i cili është një profesionist me përvojë të gjatë ndërkombëtare në fushën e bujqësisë, pylltarisë, teknologjisë dhe shëndetësisë publike. Mërkuri sjell mbi tri dekada të angazhimit profesional në më shumë se 15 shtete të botës. Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave dhe menaxhimin e politikave zhvillimore përfaqëson një vlerë të veçantë për platformën tonë politike për Kosovën si shtet dhe Prishtinën si kryeqytet. Mërkuri ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare është vlerësuar nga komunitetet ndërkombëtare që ndikojnë në menaxhimin më të mirë duke shpëtuar jetë. Mërkuri sjell përvoja të pasura në zhvillimin e kryeqytetit tonë, ajo çfarë i duhet Prishtinës sonë”, deklaroi Kusari-Lila.
Kandidati i Prishtinës, Merkur Beqiri, tha se kandidatura e tij synon një Prishtinë me strukturë, frymëzim dhe dinjitet për qytetarët, një qytet që mbështet studentët, profesionistët dhe krijuesit, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.