Ali Ahmeti ka rrëfyer detaje nga organizimi i lëvizjes shqiptare dhe procesi që, sipas tij, çoi në unifikimin e njësive të rezistencës nën emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, Ahmeti foli edhe për një telefonatë që kishte pasur me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, në fillim të viteve ’90.
“Unë kam pasur vetëm një bisedë të shkurtër me Adem Jasharin, që më paraqitet prej Tiranës. Na thotë: ‘Na keni lënë në rrugë’. I them: ‘Po, përse ju kemi lënë në rrugë?’. Duhet me na dalë zot, me na pajis, me na rregullu kështu”, rrëfeu Ahmeti.
Ai tha se biseda kishte ndodhur përmes telefonit dhe se nuk e kishte takuar fizikisht më herët Adem Jasharin.
“Me telefon, prej Tiranës. Ose ’92-ta ka qenë, me siguri ’92-ta ka. Krejt tabelarët i ka Shqipëria. Krejt komunikimet i ka Shqipëria”, tha Ahmeti.
Sipas tij, pas kësaj bisede nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Jasharin, por ka vazhduar bashkëpunimin me bashkëluftëtarët e tij.
“Jo, kemi pasur me bashkëluftëtarët e Adem Jasharit, të cilët kanë qenë të angazhuar në lëvizje, me Sami Lushtakun, me Ilaz Kodrën, me Abedin Rexhën, me Rafet Ramën. Këta kanë qenë drejtpërdrejt të kyçur dhe kemi punuar bashkë”, deklaroi ai.
Duke folur për mbledhjen në Arau të Zvicrës, ku sipas tij u unifikua emërtimi UÇK, Ahmeti tha se vendimi ishte rezultat i analizave dhe diskutimeve të udhëheqjes së atëhershme të lëvizjes.
“Nuk ka lëvizje që s’kemi studiuar ushtarake. Kemi studiuar të gjitha luftërat dhe të gjitha lëvizjet. Dhe kemi ardhur në përfundim që lëvizja jonë e rezistencës nuk duhet të shndërrohet në një lëvizje të karakterit të IRA-s, të ETA-s”, tha Ahmeti.
Ai theksoi se një nga arsyet ishte shmangia e dëmtimit të civilëve.
“Jo vetëm për shkak të rrezikut që do të quhej terroriste, por do të vrisje njerëz të pafajshëm. Ti e bën një aksion, po në atë aksion mund të pësojnë 10, 15 civilë, fëmijë, gra. Dhe analiza jonë përfundimtare është që ne duhet ta fusim në përplasje popullin”, u shpreh ai.
Ahmeti tregoi edhe një rast që, sipas tij, kishte ndikuar në këtë analizë, kur një pako me dinamit e vendosur për rrëzimin e një monumenti në Prizren ishte marrë nga fëmijët.
“Fati që një shok që e ka përgatitur bombën, ai vetë ka qenë. Kur i thotë kështu, kështu me paketë edhe bën diçka tiktak, këtë e lëshon toka. Vrap shkon edhe i pret telat. Ky ka qenë momenti i fundit. S’ka nevojë për Algjeri edhe për raste të tjera. Sepse u vërtetua e tërë analiza që ne e kemi bërë, se ne na duhet rezistencë popullore”, rrëfeu Ahmeti.



