Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të garojë si subjekt i vetëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka deklaruar nënkryetari i kësaj partie, Daut Haradinaj.
Haradinaj tha se po synojnë rezultate të mira dhe se “nuk do të ketë krijim të institucioneve pa Aleancën dhe do të jetë një parti e konsoliduar parlamentare”.
Lista zgjedhore e kandidatëve për deputetëve, shton ai se do përbëhet nga 110 figura të të gjitha fushave.
Haradinaj tha se për zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit po hartojnë një program real dhe se oferta e tyre është për ndryshim të gjendjes në vend.
“Ne do të bëjmë ma të mirën në këto zgjedhje, domethënë jemi kah shkojmë me një program real, jemi duke e hartuar listën garuese për deputetë me figura që i mendojmë më të mirat që i ka shoqëria në Kosovë, pa përjashtuar asnjë kategori të shoqërisë, duke filluar prej sportit, kulturës, letërsisë, shkencës e deri te njerëzit e kontributit për liri domethënë figurave të luftës, pse jo domethënë përfaqësimin e diasporës, mendoj që jemi kah e ofrojmë një listë të fortë, të mirë. Jemi të interesuar të bëjmë një fushatë programore me ofertë e jo të akuzojmë shumë, qëllimi edhe në të kaluarën e afërt edhe sot është që të ndërrojmë gjendjen në Kosovë, me e kthy Kosovën në binare të veta, drejtimin që ka qenë me i kthy aleatë prapë. Raportet me ta që t’i kemi shumë më të mira, me i heq sanksionet kundër Kosovës, me e kthy shtetin në binar për shkak se kemi dëme marramendëse”, deklaron Haradinaj për KosovaPress.
Aleanca po shpreson në rezultate e përqindje më të lartë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme. “Qëllimi jonë është që të ndërrojmë situatën, me ndërru gjendjen dhe me ndërru qeverisjen. Automatikisht kjo nënkupton një qeveri pa zotin Kurti edhe ndoshta e patëm mundësinë edhe me Glauk Konjufcën, por sidoqoftë, ishte situata çfarë ishte dhe mundësia e bashkëpunimit ishte e pamundur dhe unë mendoj që Aleanca do të ketë dyshifrorë, minimalisht domethënë dhe ta ketë një një përqindje modeste, të mirë dhe të jetë një parti e konsolidum parlamentare dhe nuk mendoj që do të ketë krijim të institucioneve të Kosovës pa Aleancën”, shton Haradinaj.
Ai konfirmoi se gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar takime pothuajse me të gjitha partitë politike, por që qëndrimi i tyre është garimi pa marrëveshje parazgjedhore.
