Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e vlerësuar si një figurë të jashtëzakonshme të kulturës dhe mendimit shqiptar.
Në reagimin e tij, Kurti theksoi se trashëgimia e Qosjes do të vazhdojë të jetojë përtej kohës së tij. “Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin”, u shpreh ai
Duke folur për krijimtarinë e gjerë të akademikut, Kurti nënvizoi se librat e tij tashmë do të marrin kuptime të reja për lexuesit: “Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj”.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Qosjes si studiues dhe njohës i thellë i historisë kombëtare, duke theksuar se “askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë, si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja”.
