Çështja e sigurisë në shkollat e Prishtinës, ku sipas raportimeve rreth 50 për qind e tyre përballen me probleme, po konsiderohet shqetësuese edhe nga njohësit e arsimit.
Njohësi i fushës së arsimit, Jonuz Salihaj, në një prononcim për Telegrafin , thotë se gjendja reale është edhe më e rëndë në nivel vendi.
Duke u ndërlidhur me raportimin e fundit se një numër i madh i shkollave në kryeqytet kanë mangësi në këtë aspekt, Salihaj thekson se situata është edhe më shqetësuese në nivel vendi.
“Në të vërtetë, në nivel Kosove anketimet tregojnë se 70% e fëmijëve kanë probleme me siguri. Pra, 70% e fëmijëve kanë përjetuar një formë të dhunës, dhunë fizike, shantazh, dhunë emocionale, psikologjike apo kibernetike. Për fat të keq nuk kemi statistika të sakta sepse fëmijët shpesh hezitojnë të paraqesin dhunën, por nëse kemi parasysh të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2022 kemi të bëjmë me 539 raste të formave të ndryshme të ngacmimeve në shkollat e Kosovës, duke filluar nga bullizmi deri në dhunë fizike si therje me thikë që shpesh kanë përfunduar me humbje jete”, deklaroi ai.
Sipas tij, rreziqet me të cilat përballen nxënësit janë të shumta dhe në rritje.
“Dominon bullizmi dhe shantazhi, por kemi edhe forma të tjera të dhunës, nxënës-nxënës, mësimdhënës-nxënës, ngacmime seksuale nga mësimdhënësit dhe ajo që është më e tmerrshmja shumë raste të pedofilisë, që është dukuri në rritje”, u shpreh Salihaj.
Ai thekson se mungesa e sigurisë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe mirëqenien e nxënësve.
“Nëse një nxënës shantazhohet çdo ditë me i sjellë para ‘bosit’ të klasës, përndryshe e pret dajaku apo thika, atëherë për çfarë cilësie të arsimit flitet kur fëmija është në ankth si me shpëtu nga dhunuesi. Për pasojë fëmijët mungojnë nga mësimi, nuk janë të përqendruar, e urrejnë shkollën dhe shfrytëzojnë çdo mundësi me ikë nga mësimi. Kështu në nivel vendi në shkollat e mesme të larta për vitin shkollor 2024/2025 janë shënuar një numër rekord i mungesave, 42 mungesa për kokë nxënësi. Kur dihet se me 32 mungesa të paarsyeshme sipas rregullores nxënësi përjashtohet nga shkolla, i bie se të gjithë nxënësit e këtij niveli të arsimit të mesëm të lartë konsiderohen të përjashtuar”, tha Salihaj për Telegrafin.
