Rënie nga lartësia, goditje nga pajisjet e punës, shembje në kantierë e së fundmi rrëzimi i një vinçi në mes të Prishtinës janë disa nga aksidentet fatale në vendin e punës që po vazhdojnë të marrin jetë në Kosovë, duke ngritur shqetësime serioze për zbatimin e masave të sigurisë dhe mbikëqyrjen institucionale.
Sipas të dhënave të mbledhura deri më 28 korrik, të paktën 10 persona kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë vitit 2026. Shumica e rasteve kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë, një ndër fushat që vazhdon të konsiderohet me rrezikun më të lartë për aksidente në punë.
Viktima e fundit, një i ri 20-vjeçar Rasti më i fundit u regjistrua më 28 korrik, kur një punëtor rreth 20 vjeç humbi jetën pasi një vinç (kran) u rrëzua në një kantier ndërtimi në Rrugën A në Prishtinë. Një punëtor tjetër mbeti i lënduar dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Ngjarja riktheu në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë në kantierët e ndërtimit, ndërsa institucionet nisën hetimet për shkaqet dhe përgjegjësit eventualë.
Një bilanc që rëndohet muaj pas muaji Lista e viktimave gjatë vitit 2026 përfshin:
28 korrik – Prishtinë: një 20-vjeçar humbi jetën pas rrëzimit të një vinçi, një tjetër u lëndua. 13 korrik – Prizren: një 62-vjeçar vdiq pasi ra nga çatia e një shtëpie private. 22 qershor – Prizren: 26-vjeçari Valmir Morina humbi jetën pasi u godit nga një pajisje gjatë punimeve. 20 maj – Ferizaj: një punëtor humbi jetën pasi ra nga çatia e objektit ku punonte. 29 prill – Pejë: Beqir Vokshi vdiq në rrethana që po hetohen. 15 prill – Shtime: një 48-vjeçar ndërroi jetë nga plagët e marra në punë. 13 prill – Ferizaj: një 59-vjeçar ra nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim. 8 prill – Pejë: një punëtor i paidentifikuar u godit për vdekje nga një dërrasë në një sharrë. 3 prill – Ferizaj: një 44-vjeçar ndërroi jetë në QKUK pas lëndimeve të marra në fund të marsit. Shkurt – Magjistralja Ferizaj–Prishtinë: një 43-vjeçar humbi jetën pasi ra nga lartësia në një objekt ndërtimi. Rëniet nga lartësia dominojnë statistikat Nga rastet e evidentuara, del se rënia nga lartësia mbetet shkaku më i shpeshtë i vdekjeve në punë.
Punëtorë kanë humbur jetën duke rënë nga kati i parë, i gjashtë, nga çatitë e objekteve apo nga ndërtesa në ndërtim.
