Gjykata e Apelit e Kosovës la në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Sipas aktgjykimit Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka marrë një vendim të drejtë dhe të bazuar në prova, si në konstatimin e gjendjes faktike, ashtu edhe në cilësimin juridik të veprave penale.
Në këtë mënyrë, Naim Murseli dhe Granit Plava mbeten të dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata e Apelit ka trajtuar pretendimet ankimore të mbrojtjes, duke konstatuar se ato nuk e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë dhe drejtësinë e vendimit të shkallës së parë.
Gjykata ka vlerësuar se vendimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar në mënyrë të drejtë provat dhe rrethanat që lidhen me rastin, duke përfshirë veprimet e secilit prej të akuzuarve dhe rolin e tyre në kryerjen e veprave penale.

Çfarë thuhet për planifikimin e vrasjes?
Në pjesën e aktgjykimit ku trajtohen rrethanat e rastit, përshkruhen raportet e çrregulluara familjare dhe martesore mes Naim Murselit dhe Liridona Ademajt, si dhe motivet që, sipas gjykatës, kanë çuar në planifikimin e vrasjes.
Gjykata përmend edhe sigurimin jetësor në emër të Liridona Ademajt, me kompaninë “Folksam”, në vlerë prej 3 milionë eurosh, si dhe përfitimin financiar që, sipas aktgjykimit, ishte një prej motiveve të veprës.
Në aktgjykim përshkruhet edhe komunikimi dhe takimi ndërmjet të akuzuarve, para kryerjes së vrasjes.
Sipas përshkrimit të gjykatës, më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Cërmjan të Komunës së Gjakovës, është siguruar arma e zjarrit e përmendur në aktgjykim si pistoletë e markës “Zastava”, me ngjyrë të zezë dhe numër serik ET-991503.
Gjithashtu, në aktgjykim përmendet një shumë prej 30 mijë eurosh, të cilën, sipas konstatimeve të gjykatës, Naim Murseli ia kishte paguar Granit Plavës në kuadër të marrëveshjes për kryerjen e vrasjes.




