Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Lum Halimajt dhe Kaltrim Gashit për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës, ku viktima mbetën E.H. dhe Z.G. Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e plotë ndaj Naim, Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, të cilët po ngarkohen nga Prokuroria Themelore për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës.
Çka thuhet në pikën e parë të aktakuzës?
Rreth orës 21:10 të datës 26 mars 2024, në rrugën “Butrinti” në Prishtinë, në bashkëkryerje, Ahmet dhe Naim Berisha, me dashje dhe të pajisur me armë zjarri, privuan nga jeta të ndjerin E.H., raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, të njëjtit kishin vënë në rrezik jetën e të pandehurve të tjerë: Lum Halimaj, Kaltrim Gashi dhe Bilal Kqiku – i ndjerë, ku fillimisht Ahmet dhe Naim Berisha, së bashku me persona të panjohur, ndërmorën veprimet.
Gjithnjë sipas aktakuzës, arsyeja për veprimet del të jetë hakmarrja për tentim-vrasjen që i ishte bërë po atë ditë Naim Berishës, e cila lidhet me shitblerjen e narkotikëve. Qëllimi i të pandehurve ishte privimi nga jeta i njëri-tjetrit.
Sipas aktakuzës, Ahmet Berisha kishte marrë armën me kalibër të panjohur me veturën Golf 8, ndërsa Naimi, si pasagjer, me armë të tipit Skorpion, së bashku me persona të panjohur, dolën nga shtëpia në ora 19:32.
Sipas aktakuzës, rreth orës 21:10, në rrugën “Butrinti”, takohen me të pandehurit e tjerë, të cilët ishin me veturë të tipit Honda, të drejtuar nga Halimaj. Pasagjerë ishin Bilal Kqiku – i ndjerë, E.H. – i ndjerë, dhe Kaltrim Gashi.
Aktakuza thotë se Ahmet Berisha filloi të shtie me armë në drejtim të veturës për të siguruar rrugën për Naim Berishën. Ky i fundit hapi derën, del nga vetura, pozicionohet pas shtyllës së betonit, riplikon armën dhe shtinë 11 herë, pastaj 4 herë duke u kthyer në veturë, duke privuar nga jeta E.H.
Prokuroria sqaron se Haziri ndërroi jetë për shkak të gjakderdhjes masive, shqyerjes së zemrës dhe mushkërive të majta nga predha, duke vënë në rrezik jetën e të tjerëve dhe duke shkaktuar lëndime të rënda Kqikut.
Për këto veprime, Ahmet dhe Naim Berisha ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Çka thuhet në pikën e dytë të aktakuzës?
