Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave nën dyshimin për kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve, në lidhje me rastin e zbulimit të një laboratori të drogës më 23 prill 2025 në Prizren .
Të pandehurit K.R., L.B., D.M., Sh.K., F.H., M.S., A.S., E.M. dhe B.M. dyshohen se nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23 prill 2025 kanë vepruar si grup i organizuar, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania”, në katin e shtatë, për krijimin e një laboratori të sofistikuar “indoor” për kultivimin e bimës kanabis sativa.
Sipas aktakuzës, laboratori ka qenë i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperature dhe pajisje të tjera mbështetëse, ku janë kultivuar gjithsej 175 bimë kanabisi. Për këto veprime, tetë nga të pandehurit akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S. dhe A.S. akuzohen edhe për përgatitje të lëndës narkotike për shitje dhe shpërndarje përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes së saj, duke kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, nga neni 267 i KPRK-së.
