Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot kanë filluar deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të tjerëve: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u ngarkohen. Gjatë seancës, gjykatësi i ka informuar ata për të drejtat e tyre, duke përfshirë të drejtën për të mos pranuar fajësinë, të mos dëshmojnë, të mos inkriminojnë veten apo anëtarët e familjes, dhe të kenë mbrojtje ligjore.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar, Smakaj dyshohet për tentim të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Kilajn dhe Fazliun, ndërsa Kuçi akuzohet për dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.
