Policia e Kosovës, në bashkëpunim me njësitë relevante dhe me autorizim të Prokurorisë Speciale, ka zhvilluar një aksion policor në Prishtinë, duke zbatuar urdhër-kontroll të lëshuar nga gjykata.
Pas zhvillimit të veprimeve hetimore me urdhër të Prokurorisë Speciale, janë arrestuar B.M dhe Q.M, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Fajde”, “Shpërlarje e parave”, “Kanosje”, “Falsifikim i dokumenteve”, dhe “Mashtrim”.
Hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot kanë zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në katër lokacione (shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse) të personave të dyshuar, me ç’rast, sipas njoftimit të policisë, janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.