“Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë” tha komisionerja për Zgjerim Marta Kos në fjalën e mbajtur sot në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE), struktura më e lartë këshillimore kombëtare pranë Kuvendit për procesin e integrimit të vendit në BE.
Në tryezë me përfaqësues nga grupet parlamentare, Kos bëri thirrje për dialog të brendshëm e përfshirje të shoqërisë civile në realizimin e reformave, shkruan Klan.al. Komisionerja për Zgjerim krahasoi arritjet e Malit të Zi, shtet i cili është në prag të mbylljes së plotë të kapitujve, me përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Sa më pranë anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet garancia se shtetet e së drejtës funksionojnë, tha Kos.
“Bashkimi Evropian na ka sjellë diçka që e kemi për zemër: një hapësirë për dialog, për paqe, për liri, por edhe për begati. Këshilli ku ndodhemi sot, për të cilin ju falënderoj që ma bëtë të mundur të jem pjesë, përfaqëson pikërisht atë që nevojitet për të ndjekur me sukses dhe për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë. Duhet që rryma të ndryshme të politikës dhe të shoqërisë të bashkojnë përpjekjet për të përmbushur aspiratat evropiane. Kjo do t’u japë reformave legjitimitetin dhe mbështetjen e gjerë që u nevojitet për të qenë të qëndrueshme në kohë.
Viti që lamë pas ka sjellë përparim për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE. Katër kapituj janë mbyllur dhe synohet që një e katërta e kapitujve të mbyllen deri në fund të këtij viti. Shqipëria ka ngritur institucione për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky është themeli për të fituar besimin e vendeve tona. Mali i Zi është në prag të mbylljes së të gjithë kapitujve, ndërsa vitin e ardhshëm Shqipëria ka mundësinë të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Të gjithë e dimë se udhërrëfyesi nuk përbën garanci. Sa më shumë të afrohet anëtarësimi, aq më e rëndësishme bëhet dëshmia se institucionet funksionojnë”, tha Kos.
Funksionimi i sistemit të drejtësisë mbetet një ndër kërkesat më të forta nga Bashkimi Evropian. Sesa funksionale është drejtësia, Kos tha se do e tregojë dhe vullneti për hetimet dhe goditja e kriminalitetit në funksione të larta.
“Në fushën e shtetit të së drejtës, do të jetë vendimtare mënyra se si institucionet veprojnë përballë hetimeve, përfshirë edhe rastet kur persona që mbajnë pozita të larta duhet të dalin para drejtësisë. Ndërtimi i institucioneve llogaridhënëse është një nga sfidat më të vështira. Kjo kërkon vullnet të jashtëzakonshëm politik, por Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë.



