Asociacioni i Komunave të Kosovës ka shprehur shqetësim për mungesën e dokumentacionit bazë pedagogjik në shkollat e Kosovës, edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë për IndeksOnline se në shumë shkolla vazhdojnë të mungojnë librat e klasës dhe librat amë, të cilët janë pjesë e dokumentacionit elementar për zhvillimin dhe evidentimin e rregullt të procesit mësimor.
Sipas Ibrahimit, kjo situatë nuk mund të arsyetohet vetëm si një vonesë teknike, por tregon, siç ka deklaruar ai, mungesë planifikimi, koordinimi dhe përgjegjësie institucionale.
“Edhe në javën e dytë të vitit të ri shkollor, shkollat në komunat e Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesën e dokumentacionit bazë pedagogjik”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai theksoi se pasojat e kësaj situate po i bartin komunat, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.
