Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka ritheksuar kërkesën ndaj partive dhe subjekteve politike që të respektojnë në mënyrë rigoroze mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Në një komunikatë publike, AIP ka kujtuar se përpunimi i të dhënave personale gjatë fushatës duhet të bëhet në përputhje të plotë me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me udhëzimet e Agjencisë që rregullojnë komunikimin me votuesit në procesin zgjedhor.
Agjencia ka theksuar se përpunimi i të dhënave për qëllime të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike duhet të mbështetet në baza të qarta ligjore, duke respektuar parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës. Sipas AIP-së, subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve.
Në këtë drejtim, AIP ka renditur disa obligime kryesore për subjektet politike, përfshirë nevojën që çdo përpunim i të dhënave të bëhet mbi baza ligjore si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj. Po ashtu, ndalohet përdorimi i të dhënave të kontaktit të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo për qëllime jo-politike, për marketing apo komunikim politik.
