Presidentja Vjosa Osmani është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë lidhur me ngërçin e krijuar tash e sa muaj.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar se Presidentja po mendon të kërkojë sqarim nga Kushtetuesja për pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30 ditor, të përcaktuar në Aktgjykim.
“Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Aktgjykimi në rastin nr.KO 124/25*, në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra brenda 30 ditësh)”, ka deklaruar Kupina.
Në adresë të Kushtetuteses janë dërguar edhe dy kërkesa javën e kaluar, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses. Sot ka dështuar përpjekja e 44’të për konstituim. E propozuara e Vetëvendosjes për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.