Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Kosovë.

Gjatë takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e afërta që LDK-ja dhe institucionet e Kosovës kanë ndërtuar me Ambasadën e Francës gjatë mandatit të ambasadorit Guérot. Ai vlerësoi lart angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe kontributin në avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet dhe gjendjen aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë në rëndësinë e funksionimit të institucioneve demokratike, stabilitetit politik dhe perspektivës evropiane të vendit. Kryetari Abdixhiku theksoi se në këtë periudhë, përkrahja e partnerëve strategjikë të Kosovës, veçanërisht e Francës, mbetet e rëndësishme për konsolidimin demokratik të vendit dhe avancimin e agjendës euroatlantike.