Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të enjten tubim elektoral në Klinë, ku kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, kritikoi qeverisjen aktuale dhe prezantoi programin e LDK-së për qeverisjen e ardhshme.
Abdixhiku deklaroi se “koha e një qeverie të përgjegjshme, të pastër dhe të guximshme për vendime të mëdha zhvillimore po vjen”.
“E nisëm ditën e sotme këtu, në Klinë, në prezantimin e kandidatëve tanë dhe të programit tonë.
E nisëm me një përshëndetje për vendimin e Gjykatës Supreme, e cila shpalli të paligjshme nenet e një qeverie dembele, që i detyronte në mënyrë të turpshme pensionistët të dëshmonin çdo gjashtë muaj se janë gjallë. Ky nuk është reformim i shtetit; kjo është poshtërim i qytetarëve që e ndërtuan këtë vend.
E nisëm po ashtu me një shqetësim të madh: në Kosovë, korrupsioni serioz qeveritar sot bëhet në grupe WhatsApp-i. Ai ka gërryer nga brenda pasurinë e Kosovës. Të fshehur pas perdes së populizmit dhe patriotizmit të rremë, këta kanë vjedhur në WhatsApp, kanë ndarë tenderë në WhatsApp dhe kanë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp.
