Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

A do t’i reduktojë Amerika ushtarët e saj në Kosovë, flasin nga Pentagoni

GD
Gazeta Demos19 shkurt 2026 në 19:20
A do t’i reduktojë Amerika ushtarët e saj në Kosovë, flasin nga Pentagoni

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes* i tha Radios Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk ka ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane.

“Sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, tha ai në përgjigjen me shkrim.

REL-i kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, pasi gazeta amerikane Politico – duke cituar katër diplomatë të NATO-s – tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

Në komentet për REL-in, një zyrtar i NATO-s tha se Shtetet e Bashkuara luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

Megjithatë, ai theksoi se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.

Ai shtoi se SHBA-ja, aktualisht, i ka rreth 600 trupa të angazhuara në misionin e KFOR-it dhe se e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.

Komanda Rajonale Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.

REL-i kërkoi komente në lidhje me raportimet e Politico-s edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, dhe është në pritje të përgjigjeve.

Çfarë thuhet në artikullin e Politico-s?

Sipas Politico-s, në muajt e fundit, Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të përfundojë misioni në Irak dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.

Ky raportim vjen pasi, vitin e kaluar, ishin ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund t’i tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, atëbotë kishte porositur Evropën se duhej të përgatitej për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Megjithatë, tërheqje të plotë nuk pati, dhe në tetor SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.

SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar më 1999, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë 4.767 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 33 shtete të ndryshme.

Kampi Bondsteel, që gjendet pranë Ferizajit, shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e saj.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Ky mision paqeruajtës i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë. /REL

KFOR

Më shumë nga Lajme

  • 23:47Ligje të rëndësishme mbesin pezull, kërkohet miratimi i tyre para 6 tetorit
  • 23:39“OVL -PDK jeni armiku kryesor për mbrojtjen e krerëve në Hagë, s’latë gjë pa bërë qe 27 vjet”, reagon bashkëshorti i Albulena Haxhiut
  • 22:35Kurti uron Ditën e Bashkimit të Gjermanisë: Historia duhet të shërbejë si udhërrëfyes
  • 22:16Dita e Ribashkimit Gjerman, Rudolph: Në Kosovë, ky proces ka një kuptim të veçantë
  • 21:50Takimet me Hamzën e Abdixhikun, Ramadani: Lojë e Kurtit që s’ka qëllime të sinqerta, jam për Ligjin por jo pazaret