Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot 37-vjetorin e Grevës së Minatorëve, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në rrugën drejt lirisë.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se grevat e minatorëve ishin akte të guximshme që u shndërruan në rezistencë gjithëpopullore dhe lëkundën themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë, duke nderuar më shumë se 1300 minatorë që morën pjesë në atë kohë.
“Sot, në shënim të 37-vjetorit të Grevës së Minatorëve, me nderim kujtuam veprën e më shumë se 1300 minatorëve të asaj kohe. Kjo grevë u shndërrua në një rezistencë gjithëpopullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë. Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e punëtorëve të devotshëm të kohë, ishte rikthimi i Trepçës në forcë ekonomike të vendit. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës”, tha i pari i AAK-së.
