Si sot plot 20 vite më parë ndodhi grabitja më e madhe në historinë e Britanisë së Madhe me protagonistë edhe dy shqiptarë.
U grabitën në zonën e Kentit në jug të Anglinë plot 53 milion sterlina nga të cilat 32 milion nuk u gjetën kurrë.
Dy të rinjtë nga Tropoja Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj, që të dy emigrantë në shtetin ishull luajtën një rol të rëndësishëm në këtë grabitje në depon e parave e cila i përkiste Bankës së Anglisë. Pas arrestimit të tyre disa javë pas grabitjes e më pas në gjykatën e krimeve të rënda Old Baily u mësuan rrolet e dy shqiptarëve.
Sipas prokurorit në këtë çështje thënieve të tij i referohet Top Channel, Ermir Hysenaj ishte i punësuar në depon ku sistemoheshin paratë dhe bëheshin gati për ti çuar nëpër automatet e bankave. Ai u quajt gjatë procesit gjyqësor si “inside man” njeriu i brendshëm i grupit që realizoi grabitjen e vlerësuar nga gjykatësi çështjes si e “realizuar me një disiplinë ushtarake”.
Hysenaj me një kamera të fshehtë filmoi hyrje daljet dhe sistemet e alarmit të depos. Po ashtu u gjet edhe një hartë e shkruar prej tij me të dhëna për planimetrinë e depos. Të dhënat iu kaluan bashkëpatriotit të tij nga Tropoja Jetmir Bucpapa i cili punonte roje sigurie në lokalet e natës të zonës Kent dhe kishte njohje me njerëz të fuqishëm të krimimit të organizuar në këtë zonë.
Pas një gjyqi disa mujor Bucpapa dhe Hysnaj u gjetën fajtor. Pas vuajtjes së dënimit të dy janë dëbuar në Shqipëri. Në procesin gjyqësor Jetmir Bucpapa u akuzua si pjesëmarrës edhe në marrjen peng të menaxherit të depos Colin Dixon. Duke mbajtur maska dhe duke përdorur armë zjarri, përfshirë një automatik Skorpion dhe të paktën një pushkë gjahu shtatë grabitësit i lidhën punonjësit e depos te tmerruar përpara se t’i mbyllnin ata në kafazet e parave.
